Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi Gjykatës së Lartë të urdhërojë rihapjen e hetimeve për mënyrën se si u arrit marrëveshja e cila zgjidhi me mirëkuptim konfliktin mes kompanisë çeke CEZ dhe qeverisë shqiptare. Për shkak se Prokuroria e Përgjithshme i ka pushuar hetimet në muajin qershor, KLSH, si institucioni që ka depozituar kallëzimin më herët, e kundërshton këtë vendim në rrugë gjyqësore.
Gjatë seancës së kryesuar nga Guxim Zenelaj, jursitët e KLSH-së thanë se prokuroria nuk ka hetuar siç duhet kallëzimin në fjalë, ndërsa shtuan si argument faktin që nga kjo marrëvshje, që evitoi arbitrazhin, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 470 milionë euro. Jursitët i konsideruan hetimet të dëmtuara dhe të paplota, përsa kohë sipas tyre nuk ishte administruar edhe dokumentacion shtesë.
Por prokurori Arben Kraja, i cili ka hetuar dosjen, këmbënguli se gjatë veprimeve hetimore u provua se shtetit shqiptar nuk i është shkaktuar asnjë pasojë ekonomike, ndërsa shtoi se u gjetën vetëm elementë të shpërdorimit të detyrës, raste për të cilat ishin kallëzuar ministri i Energjitikës, Damian Gjinkuri dhe kreu i Avokaturës së Shtetit, Alma Hiçka.
Megjithatë, juristët e KLSH arsyetojnë se nga marrja në pyetje e 14 anëtarëve të grupit të negociatorëve ka dyshime se ministri i Energjitikës nuk është pyetur nga Akuza, qëndrim i cili u kundërshtua nga prokurori, pasi sipas tij, gjatë hetimeve janë pyetur edhe zyrtarë të tjerë shtesë. Pasi dëgjoi palët e gjithashtu edhe avokatët e Hiçkës dhe të Gjiknurit, trupa gjyqësore u tërhoq për vendim, të cilin do ta shpallë më datë 24 tetor. TCH
ma.me