Koço Kokëdhima ka sulmuar me anë të gazetës së tij ministrin Saimir Tahiri, duke thënë se policia është duke fshehur vrasjet për çështjen e mbjelljes së hashashit.
“Shekulli” shkruan se janë disa vrasje të fshehura nga ana e policisë, dhe lë të nënkuptohet se që të mos ndodhin këto, mbjellja e hashashit duhet legalizuar.
“Kanabisi është kthyer kohëve të fundit në një burim të frikshëm konfliktesh të përgjakshme. Prej kohësh, pazaret e drogës janë arma vrasëse e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Kanë krijuar konflikte të dhunshme dhe hakmarrje me familje dhe fise që tentojnë shfarosjen. Por kur bëhet fjalë për ngjarje të rënda kriminale, për të cilat pak kemi kurajën të hulumtojmë, kjo për shkak të implikimit gjithnjë të segmenteve të caktuara mafioze që kanë mbështetje edhe nga segmente shtetërore, policia, prokuroria, media pajtohen me një fakt: Vrasje për larje hesapesh! Këtu mbyllet historia e një viktime, e nis tjetra, kaq!
Ndërsa këtë vit u shfaq një dukuri e çuditshme; vrasjet për kanabis, më saktë për parcelat e hashashit, për zotërim zone e tregu, lëvizshmëri çmimesh e pazaresh, deri te spiunim apo lidhje me segmente të policisë lokale që kanë çuar në eliminim kundërshtarësh. Këtë vit, si rrallë herë, shihet tendenca për të ekzekutuar njerëz që kanë dijeni, që kryesisht janë o punonjës, o njerëz të rastësishëm, ose persona që kanë detyra të caktuara nga grupet kriminale që komandojnë kultivimin e lëndës narkotike. Brenda më pak se 4 muajsh janë të raportuar të paktën 7 ngjarje që kanë në themel vrasje me motive të tilla.
Asnjë prej tyre nuk është raportuar nga Policia e Shtetit si vrasje, por në disa raste janë dokumentuar; sherre banale, konflikte për femra e prona e deri te ngjarja e fundit në Shëngjergj që u klasifikua vetëvrasje dhe vijon të konsiderohet e tillë nga Policia e Shtetit, ndonëse prokuroria e ka regjistruar si vrasje që në krye të herës kur është raportuar si ngjarje! Edhe vrasja në Dukagjin të Shkodrës mes kushërinjsh, policia nuk e pohoi se ishte për pazare droge, derisa njëri nga vrasësit, ai i dorëzuari që mori përsipër edhe krimin, pranoi se konflikti kishte nisur për pak rrënjë kanabisi, por që në fakt historia e tyre e konfliktit lidhej me informim policie dhe për parcela e jo thjesht disa bimë!”, shkruan kjo gazetë.
tema/d.i.