Hetuesia edhe më tej pohon se terorristi i dyshuar Dschaber al-Bakr ka punuar sipas urdherave të terorristëve të “Shtetit Islamik”, por deri tani nuk ka ndonjë dëshmi të fuqishme konkrete. Një zëdhënës i Prokurorisë së shtetit i tha gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, se në rastin e al-Bakr ende nuk ka dëshëmi të “mjaftueshme për lidhjet me IS”. Al-Bakr ka bërë vetëvrasje të mërkuren e kaluar në burgun e Lajpcigut. Dhe në qëllimet e tij për kryerjen e sulmeve terroriste, nuk ka asnjë dyshim.
Planet konkrete
Në fund të gushtit siriani ka ardhur me avion nga Turqi në Lajcig dhe ka pasur plane konkrete për sulme, thotë një hetues për këtë gazetë. Që ai ka dashur të kryejë sulme në aeroportin e Berlinit, mund të konstatohet edhe nga një udhëtim i tij në Berlin, në shtator të këtij viti. Hetuesit kanë konstatuar se ai ka qenë atje në bazë të biletave për udhëtim me tren dhe në bazë të gjërave që janë gjetur tek ky person.
Sipas gazetës “Welt am Sonntag”, një shërbim sekret amerikan i ka dhënë autoriteteve gjermane të dhënat vendimtare për këtë rast. Ky shërbim ka kapur telefonatat e sirianit të dyshuar me një person të ISIS në Siri. Me këto të dhëna i ka njoftuar autoritetet gjermane, shkruan gazeta. Ndërsa në një telefonatë tjetër është biseduar për përgatitjen e lëndës shpërthyese. “Një aeroport i madh në Berlin, është më mirë të sulmohet, se sa trenat”, citohet al-Bakr të ketë deklaruar.
Vëllai i të dyshuarit ka shprehur ndërkohë në një intervistë me Deutsche Wellen mendime për hakmarrje. Alaa al-Bakr ka kërcënuar: “Reagimi im si arab është hakmarrja”. Në pyetjen tonë se çfarë mendon me këtë, Alaa al-Bakr në bisedë me reporterin Jaafar Abdul Karim sqaron: “Ti e kupton. Unë nuk kam çfarë të shtojë. Unë do të vi si refugjat.”
Alaa al-Bakr është i bindur se vëllai i tij më i vogël ka qenë i pafajshëm. “Unë e kam edukuar. E di se si ka qenë. Ai nuk është terorrist”, shpjegon ai.
Shplarja e trurit?
Dschaber e ka njoftuar vëllaun për përpjekjet që ta radikalizojnë. Në Gjermani e kanë kontaktuar disa imamë të ri në një xhami në Berlin dhe kanë bërë “përpjekje t’ia pastrojnë trurin”, thotë Alaa al-Bakr. Por pa sukses. “Sikur të kishin pasur sukses, ai do të vinte në Siri dhe dhe nuk do të kthehej”, thotë Alaa al-Bakr, i cili kërkon kufomën e vëllaut të tij. Njëkohësisht paralajmëron hapa juridik kundër autoriteteve në Saksioni. Ai fajëson policinë për vrasjen e Dschaberit. “Unë do të ngre aktakuzë kundër policisë në Gjermani, në landin Saksoni”, thotë ai.
Ministri i Drejtësisë Sebastian Gemkow (CDU) ka pranuar se duhet të bëhen reforma. “Ne të gjithë duhet të mësojmë se si të sillemi me të akuzuarit islamistë”, pohon Gemkow, për gazetën “Bild am Sonntag”. “Instrumentet tona duket se nuk mjaftojnë për rastet e të arrestuarve të këtillë.” Gemkow pohon se islamistët e arrestuar ndoshta me qëllim duan të bëjnë vetëvrasje, për të dëmtuar sistemin juridik në Perëndimin e urrejtur. “Saksonia nuk ka qenë e përgatitur sa duhet për një rast të këtillë”, pohon ai.
DW/d.i.