Dashnor Deliallisi, shkaktari i aksidentit tragjik që ndodhi pak ditë më parë në Sukth, ku humbën jetën tre vajza dhe ai vetë, ishte i fiksuar pas shpejtësisë dhe makinave luksoze. Ai u fut kundravajtje në autostradën Tiranë-Durrës, me një “Benz” luksoz, i cili u bllokua automatikisht menjëherë pas përplasjes.
Gazetarja e news24 është ndodhur në vendin e ngjarjes, pak pasi ndodhi përplasja fatale, duke fiksuar momentin kur forcat zjarrfikëse dhe policia hapën me leva dhe mjete të tjera bagazhin e makinës së Dashnor Deliallisit. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nuk u konstatua asgjë e paligjshme.
36-vjeçari Dashnor Deliallisi, teksa lëvizte në sens të kundërt në autostradën Tiranë-Durrës, u përplas me një makinë tip “Benz”, ku udhëtonin tre vajzat, Greta Sherifi, 23 vjeç, banuese në Sarandë dhe pronare e makinës, Izabela Balla, 33 vjeç, si edhe Elona Kaçibaro, 34 vjeç, banuese në Tiranë. Përplasja kokë më kokë e automjeteve ishte aq e fortë sa rezultoi fatale për të 4 të rinjtë.
Dashnor Deliallisi ishte qytetar rom, i lindur në Fushë Krujë dhe me mbiemër të ndryshuar. Aktualisht ai bashkëjetonte me një grua në qytetin e Durrësit. Në fakt ai rezultonte i papunë, por nga fotot e publikuara në rrjetet sociale duket që bënte jetë luksoze me makina të shtrenjta, në lokale nate, me orë e unaza prej ari. Sipas burimeve zyrtare, Dashnor Deliallisi ishte një shtetas me precedentë penalë. Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2011 në lagjen 12 në Durrës, pasi tentoi të vriste një person me një armë pa leje.