Dashamir Shehi duket ndër të paktët përfaqësues të opozitës me këmbë në tokë. Në një kohë kur Lulzim Basha flet për fitore të opozitës në zgjedhjet vendore, edhe pse ka marrë vetëm 15 bashki, kundrejt 45 të mazhorancës, Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar thotë se nuk ka vend për entuziazëm në rezultatin e 21 Qershorit. Shehi preferon ta quajë rezistencë dhe jo fitore dhe thotë se nuk u përbush objektivi i vënë nga opozita.
Opozita humbi thellë edhe në garën për këshillat bashkiakë. Forca e saj kryesore, Partia Demokratike, u rendit edhe e katërta në disa zona apo e shtata, si në rastin e Gramshit. Shehi thotë se ky është rezultati më i dobët deri më sot.
Kandidatin e së djathtës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, Shehi e sheh moralisht fitues, duke e krahasuar rezultatin e tij me votat që opozita e sotme mori në vitin 2013.
Analizën e humbjes, Shehi e konsideron jetike për të ardhmen e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 2017 -ës dhe theksin e ve tek nevoja e një platforme të re.
Në analizën për bashki të mëdha si Durrësi, ku kandidatja e opozitës, Grida Duma, humbi me një diferencë ndaj 14 mijë votash ndaj Vangjush Dakos, një prej humbjeve më të thella të Partisë Demokratike në këtë bashki, Shehi sugjeron që të merren në konsideratë të gjithë faktorët. Po kështu edhe për Elbasanin e disa bashki të tjera, ku opozita pretendonte përmbysjen.