Themeluesi i firmës së këpucëve “Toms”, Blake Mycoskie ka kërkuar që baballarët e rinj të marrin tri muaj leje lindjeje. Vetë ai mori një leje 12-javore pas lindjes së djalit të tij, Summit.
Biznesmeni i njohur u jep prindërve të rinj në kompani tetë javë leje, si dhe agjenda fleksible pasi kthehen në punë. Mirëpo, tani ai kërkon më tepër mbështetje nga bizneset për baballarët e rinj në Amerikë.
“Është një përvojë që do të doja ta provonte çdo baba i ri, por tani e kuptoj sa me fat jam. Në fakt, kur njoftova se do të merrja leje, disa nga kolegët e mi u habitën. Si mendon se do ta drejtosh kompaninë, ndërsa ndërron panolinat?, më pyetën ata”, tha ai për “Glamour”.
Sipas Mycoskie, vetëm 12 për qind e të gjithë punonjësve në Amerikë kanë akses ndaj lejes së paguar atërore dhe shumica e burrave marrin vetëm një javë leje pas lindjes së një fëmije. Leja e lindjes për të është një investim për produktivitetin. “Këta baballarë janë më të përqendruar dhe më energjikë”, tha ai për “Today Show”.