Kryediplomati amerikan John Kerry dhe homologu i tij rus Sergey Lavrov janë takuar në Lozanë të Zvicrës në një përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje për rigjallërimin e procesit të paqes në Siri.
Takimi vjen tre javë pasi palët dështuan të hartonin një armëpushim që shihej nga shumë si shpresa e fundit për paqe.
Kerry dhe Lavrov do të përpiqen të gjejnë mënyrat për t’i dhënë fund bombardimit të qytetin të gjunjëzuar verior të Alepos, që po sulmohet prej një jave nga forcat qeveritare të mbështetura nga sulmet ajrore ruse.
Ministri i Jashtëm rus tha të premten, se nuk kishte shumë shpresa për raundin e fundit të bisedimeve diplomatike raporton tch. Organizatat ndërkombëtarë të ndihmave bënë thirrje për 72 orë armëpushim në lagjen lindore të Alepos, objektivi i sulmeve ajrore, për të lejuar të sëmurët dhe të plagosurit të evakuoheshin dhe për të dërguar ushqime dhe ndihma mjekësore në zonën e rrethuar.
Me mijëra civilë janë bllokuar në këtë qytet që duket është bërë pjesa qendrore e luftës 5-vjeçare në Siri./a.m.