Bagëtitë e sëmura me dermatozën nodulare dhe që tashmë kanë ngordhur për shkak të saj janë hedhur në ujrat e liqenit të Fierzës nga blegtorët.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Kënetë në Kukës, aty ku një lopë e sëmurë me këtë sëmundje dhe tashmë e ngordhur është parë teksa “noton” në ujrat e liqenit.
Një situatë e tillë ka rritur shqetësimin e komunitetit të zonës, pasi uji është ndotur nga prania e lopës së ngordhur dhe kalbja e trupit të saj do të sillte një epidemi, sakohë që aty pijnë ujë edhe bagëtitë që mbarështojnë blegtorët e zonës.
Përveç kësaj, në këtë zonë shumë peshkatarë gjuajnë edhe peshkun për ta nxjerrë më pas në treg.
Deri tani ende nuk ka shkuar asnjë nga institucionet për ta larguar kafshën e ngordhur nga ujërat e liqenit, ndërkohë që nuk dihet se nga cili vend është hedhur.
Dyshimet e banorëve të zonës së Kënetës janë se kjo lopë e ngordhur mund të jetë sjellë edhe nga Maqedonia e cila ka shumë probleme me sëmundjen e dermatozës modulare.
Të kontaktuar nga Shqiptarja.com banorët kërkojnë largimin e kësaj lope pasi qëndrimi aty është një rrezik shumë i madh i përhapjes së ndonjë epidemie.
Shqiptarja/d.i.