Një nga pronarët e ish-hotel “Vollga” në Durrës njëherësh biznesmeni i njohur Ylvi Beqja, ka vendosur të flasë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të tregojë të gjitha prapaskenat, që ka pasur me Emiljano Shullazin për nënshkrimin e kontratës së dhënies 20 për qind të ish-hotel Vollgës. Pendesa e Beqjat, ka ardhur në një moment kur Shullazi dhe Gilmando Dani janë arrestuar dhe ndodhen në burg, ndërkohë që nipi i Shullazit, Endri Zela dhe shoku i tij Endri Qyqja, të cilët që prej ditës së djeshme janë të ndalur dhe ndodhet në polici, ishin kthyer në një makth për të.
Nëpërmjet direktivave që i jepte Shullazin nga burgu, ata kanë kërcënuar dhe shantazuar biznesmenin që dikur ka bashkëpunuar me Shullazin për hipotekimin e ish-hotel Vollgës, në emër të kompanisë së tij “Saudi Brodhers Commercial Company” në Durrës. Beqja është ndodhur përballë një presioni psikologjik dhe mosmirnjohje nga ana e anëtarëve të grupit, ku herë pas herë është detyruar të lëshojë për llogari të tyre çeqe bankare.
Dhe një gjë të tillë e ka bërë jo njëherë por 6 herë, në shuma që variojnë nga 35 mijë dollarë, në 120 mijë dollarë,15 mijë euro dhe shuma të tjera. Të gjitha këto para në valutë, euro dhe dollarë janë tërhequr nga nipi i Shullazit, Gilmando Dani. Për të provuar këtë, prokuroria ka sekuestruar kopje të çeqeve të lëshuar nga Ylvi Beqja në bankë, faturat e tërheqjes së lekëve si dhe pamjet filmike. Beqaj fillimisht është pyetur për këto transaksione të dyshimta në prokurori, por nuk ka pranuar të flasë për shkak të presioneve të vazhdueshme.
Njëherësh në atë periudhë, me një vendim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë sekuestruar dhe 350 mijë euro në llogaritë bankare të Ylvi Beqjas. Pikërisht këto para janë bërë dhe shkak i vijimit të presioneve, shantazheve e kërcënimeve deri në vrasje të biznesmenit të njohur. Prej disa muajsh, Endri Qyqja dhe nipi i Shullazit Endri Zela, nëpërmjet direktivave që merrnin nga burgu, kërkonin sasi të mëdha parash nga Beqja, ku qëllimi i tyre ishte korruptimi i gjyqtarëve dhe nxjerjen nga qelia të Shullazit dhe Gilmando Danit. Nga ana tjetër Beqja ka refuzuar t’u japë para kesh, duke ju justifikuar se nuk kishte shumat që ata kërkonin.
Njëherësh biznesmeni u ka deklaruar se u kishte dhënë disa herë euro dhe dollarë, madje dhe 20 për qind të ish-hotel “Vollgës” në Durrës, dhe për këtë i ka kërkuar atyre që të jenë mirnjohës. Mirëpo kjo nuk ka mjaftuar për anëtarët e grupit. Mësohet se për të ushtruar presion ndaj Beqajt, Qyqja dhe Zela, kanë shkuar në banesën e biznesmenit në Tiranë dhe kanë kërcënuar në mënyrë të hapur me jetë biznesmenin dhe familjen e tij.
Por ky veprim nuk ka ndodhur vetëm një herë por disa herë. Të gjitha këto, janë dokumentuar nga kamerat e sigurisë që biznesmeni Ylvi Beqja kishte instaluar në banesën e tij. Këto pamje janë sekuestruar tashmë nga prokuroria dhe administruar si prova në gjykatë. Herë pas here, dy personat e arrestuar dje pranë burgut 313 në Tiranë, Qyqja dhe Zela i kanë dalë përpara djalit të biznemenit duke e kërcënuar atë hapur, duke i kujtuar atij që babai t’i dorëzonte sasinë e lekëve.
I ndodhur në këto kushte dhe në tryasninë e drejtëpërdrejtë të anëtarëve të grupit të Emiljano Shullazit, biznesmeni Beqja ka vendosur të flasë për llogari të Krimeve të Rënda.Ai mësohet të ketë zhvilluar një takim me kryeprokurorin e Krimeve të Rënda Besim Hajdërmataj, duke i kërkuar këtij të fundit bashkëpunim, në këmbim të mbrojtjes së jetës së tij dhe familjarëve.
Në dëshminë e tij, Beqaj ka dhënë informacione të vlefshme për hetimet. Kanë mjaftuar pak kohë përgjime dhe vëzhgime të policisë që dy personat Endri Qyqja dhe Endri Zela, të bien në prangat e policisë. Ata janë arrestuar ditën e djeshme pranë burgut të sigurisë së lartë 313 në Tiranë, teksa ishin në pritje për të zhvilluar një takim të përjavshëm me Emiljano Shullazin.
I pari që ka rënë në pranga ka qënë Endri Qyqja, i cili po qëndronte në një kafene përballë burgut 313.Ai nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj policisë, ndërkohë që pas tij është arrestuar në ambjentet e brendshme të burgut, nipi i Shullazit, Endri Zela, i cili ndodhej në paradhomë, në pritje për të takuan Shullazin brenda në burg.
ma.me