Nga Lorenc Vangjeli
Në epilog të numërimit të votave, Rama dhe Meta duket se kanë vetëm një ankth. Mbasi garantuan qeverisjen në shumicën dërmuese të Shqipërisë lokale, mbasi i dëshmuan vetes dhe të tjerëve se së bashku mund të qeverisin të qetë dhe të pakërcënuar nga askush dhe mbasi rimorrën një rikonfirmim të cilësisë së qeverisjes, tani kanë vetëm një pritje: tejkalimin e një milion votave në zgjedhje. Janë gati në limit të realizimit të kësaj shifre. Të gjitha projeksionet e votave i dëshmojnë një milion votat si kufirin e vjetër dhe të ri të besimit për koalicionin qeverisës.
Kjo shifër në vetvete nuk ka asnjë rëndësi, por bëhet e rëndësishme, sa kohë mendohet përmasa e saj psikologjike. Sepse duke nisur që nga java tjetër, herë Rama e herë Meta, pedhe njëri, edhe tjetri e pas tyre të gjithë të tjerët, në çdo tribunë politike apo ekran televiziv, do të shpalosin numrin e mbi një milion votave që morrën në zgjedhje. Do t’i quajnë shuplaka për kundërshtarin apo “like” për veten, kjo ka shumë pak vlerë përballë poshtërimit të rëndë që i kanë shkaktuar në zgjedhje kundërshtarit. Sepse kësaj rradhe nuk e mundën, por e poshtëruan. Në politikën shqiptare kjo ka qenë përmasa e pashpirt e betejës politike: jo thjesht dëshira për të fituar mbi kundërshtarin, por për ta mposhtur me poshtërim atë.
Dhe këtu problemi bëhet serioz. Sepse pikërisht poshtërimi është çfarë i duhet kursyer PD-së e cila po e sheh veten nën minimumin e saj historik. Dhe kjo pikë është më shumë një disfatë e asaj vetë sesa sukses i koalicionit të majtë. Eshtë më shumë një rrëzim në humnerë i të djathtës sesa një ngritje më lart e të majtës.
Arsyet se pse ka ndodhur kështu janë të pafundme. Vera e nxehtë dhe pushimet verore që janë në prag, do të ftohin shpejt pasionet politike që po tentojnë të ndizen në PD dhe shtatori do të vijë si të mos ketë pasur kurrë zgjedhje në 21 qershor. Ky realitet do të kujtohet vetëm kur herë Rama e herë Meta, herë njëri dhe herë tjetri e pastaj gjithë të tjerët, do të kujtojnë kufirin dramatik të një milion votave që kapërceu koalicioni i tyre. Ka tre mënyra që mund ta bëjnë: me arrogancë, siç është tradita në Shqipëri, ose me përunjësi, siç është domosdoshmëria e sjelljes së kryeshërbëtorëve që ndodhen në krye të shtetit. Mënyra e tretë do të ishte një kombinim i të dyjave, edhe arrogancë, edhe përunjësi. Edhe pak sinqeritet i zakonshëm ballkanas, edhe pak hipokrizi diplomatike evropiane. Zgjedhja e tyre është diçka që do të verifikohet shpejt dhe varësisht saj, mund të projektohet humori i shqiptarëve në zgjedhjet pasardhëse të përgjithshme të vitit 2017.
Por përtej tyre, një gjë duhet të ndodhë patjetër. Kundërshtarit i duhet kursyer poshtërimi. Partia e parë antikomuniste në vend, partia që erdhi në Shqipëri si shpresë, sot i ka në koma shpresat e saj për rimëkëmbje. Jo aq nga rezultati që morri, por nga bindja për të mos e parë në sy këtë rezultat, për të krijuar një realitet virtual dhe paralel në të cilin herë noton në fitore imagjinare, herë, nuk pranon humbjen, herë beson se ka dhe më keq se kaq dhe herë shpreson se më keq sesa në 2015-ën nuk mund të bëhet.
E majta duhet ta kursejë poshtërimin. Jo për mëshirë. Jo sepse është aksiomë që kur fiton gjithçka nis e rrezikon gjithçka, por sepse as asaj vetë nuk i intereson një kundërshtar kaq i dobët, kaq i rrëzuar, kaq i rrënuar. Askujt nuk i intereson! Demokracisë dhe ekuilibreve të brendshëm politikë e socialë të vendit nuk i intereson një PD e poshtëruar. Demokracia nuk ka interes as për gëzimin e të majtës që është në dilemë sesi duhet t’i quajë një milion votat e saj: shuplaka për opozitën apo “like” për qeverisjen. Shqiptarët, si gjithë bota, kanë zgjedhur Facebook-un… Edhe Doktori, por jo zoti Kosova. Doktori tjetër!