Deklaratat e komentatorit Dritan Shakohoxha rreth Kosovës e flamurit të saj konsiderohen fyese nga tifozët e Kosovës, “Dardanët”.
Këta të fundit janë kërkuar nga “Digitalb” të marrë masa disiplinore ndaj komentatorit .
Ne reagimin publik të “Dardanëve” thuhet:
Letër e hapur drejtuar kompanisë mediale Digitalb
Po ju drejtohemi në emër të grupit të tifozëve të kombëtares së Kosovës “Dardanët”
Kontributi i i kompanisë mediale që ju udhëhiqni në promovimin e futbollit kosovar në nivel klubesh dhe së fundmi edhe me transmetimin e ndeshjeve te kombëtares së Kosovës është i padiskutueshëm dhe përë këtë ju jëmi mirënjohës.
Duke pasur parasysh këtë, ne jemi thellësisht të indinjuar me paraqitjen publike të të punësuarit tuaj Dritan Shakohoxha.
Ai në emisonin Opinion të televizonit nacional Klan shfryu një grumbull fyerjesh, ofendimesh, insinuatash e gënjeshtrash në drejtim të grupit të tifozëve Dardanët, fytyrave më eminente të futbollit kosovarë (përfshi këtu edhe legjendën e futbollit kosovar dhe aktualisht kryetarin e FFK-së, z. Fadil Vokrri), qytetarëve, simboleve dhe vet shtetit të Kosovës.
Paraqitja e tij destruktive, agresive dhe shumë joparimore ka lënduar ndjenjat e mijëra tifozëve dhe qytetarëve të Kosovës, shikues dhe abonues të platformës televizive që ju udhëhiqni.
Ai, pa fije skrupulli përqeshi simbolet e tifozëve dhe shtetit të Kosovës.
Për më tepër, ai me një qëndrim prej rrugaçi dhe me argumente prej injoranti vuri në pikëpytje nevojën për ekzistencën e kombëtares së Kosovës tashmë anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA.
Të njejtat qëndrime me Dritan Shakohoxhën i kemi dëgjuar vetam nga Federata e Futbollit të Serbisë dhe nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
Shprehja publike e qëndrimeve të tilla, nga një punonjës i kompanisë suaj prestigjioze dhe suportuese mediale e kombëtares së Kosovës, në kohën kur po pritet shqyrtimi i padisë së Serbisë në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit, në rastin më të mire është budallallëk e në më të keqin janë deklarata qëllimkqija dhe potencialisht të rrezikshme e të dëmshme.
Dardanët kan qenë dhe do te jenë gjithmonë përkrahës edhe të kombëtares së Shqipërisë. Prandaj besojmë se deklaratat e tilla janë përqarëse dhe dashakeqe, e sidomos kur vijnë nga një komentator futbolli. Duam të përkujtojmë se janë pikërisht tifozët nga Kosova që kanë dhënë kontributin më të madh për zhvillimin e tifozerisë shqiptare dhe rrjedhimisht vet Kombëtarës së Shqipërisë në futboll.
Prandaj, ne kërkojmë nga ju që të ndërmerrni masa të caktuara disiplinore ndaj të punësuarit tuaj për fyerjen dhe lëndimin e ndjenjave të mijëra qytetarëve të Kosovës dhe njollosjen e emrit te kompanisë suaj. Poashtu ju lusim që këto masa ti bëni publike.
Ndërkaq, po e lëmë në ndergjegjën e Dritan Shakohoxhës se a do të konsiderojë një kërkim falje publike për të gjithë qytetarët e Kosovës që janë ndier të fyer nga deklaratat e tij.
Me respekt, “Dardanët”
Zëri/d.i.