Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi ndodhet në Bruksel ku po zhvillohet ministerial i radhës i vendeve anëatrë të NATO-s.
Punimet e këtij ministeriali janë të fokusuara në disa çështje të rëndësishme me të cilët po përballet sot Aleanca.
Aleatët diskutuan për mjedisin aktual të sigurisë dhe rreziqet që vijnë nga Lindja dhe Jugu. Gjatë sesionit të parë të ditës së djeshme u diskutua lidhur me veprimet agresive të Rusisë në Lindje të Aleancës, si dhe paqëndrueshmërisë në rritje në kufijtë jugor, shkaktuar nga aktivitetit në rritje i ISIL.
Për të përballuar gjithë këto sfida, ministrat e Mbrojtjes së vëndeve anëtarë të NATO-s ranë dakort për një qëndrim gjithëpërfshirës në funksion të mbrojtjes së çdo vendi anëtar.
Shqipëria deklaroi pjesëmarrjen në forcën pararojë të NATO-s për vitet 2016-2018, kontribut ky që u cilësua si mjaft pozitiv. Në këtë kuadër Shqipëria do të bashkëpunojë me Spanjën, Britaninë e Madhe dhe Italinë në përmbushje të angazhimeve të përbashkëta ushtarake gjatë tre vjeçarit të ardhshëm.
Zëvëndësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koci, theksoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Ukrainës, si dhe nënvizoi kontributin e vendit tonë me fonde, veshje ushtarake dhe vëzhgues në kuadër të OSBE-s.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtarë të NATO-s diskutuan edhe për misionin “Resolute support” në Afganistan. Shqipëria është prezente në Afganistan që nga viti 2002. Zëvëndësministri i Mbrojtjes Koçi mori pjesë gjithashtu në një takim të vendeve që kontribuojnë me trupa në Mazar-I-Sharif në Afganistan nën kryesimin e Gjermanisë.