Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës në ceremoninë “Policia e gjeneratës së re” tha se në radhët e policëve ka edhe njerëz që duhet të ishin në burg, pasi tradhtojnë uniformën. Megjithatë, Rama tha se prezenca e individëve të tillë nuk justifikon sulmet e opozitës, që cënojnë moralin dhe pasionin e çdo punonjësi policie.
“Nëse ka një forcë kritike sot për çka duhet të bëjë me mirë policia e shtetit, për fat të keq nuk është opozita, jemi ne vetë. Për fat të keq sot opozita nuk është një fuqi alternative që na shtyn për të bërë dhe më shumë, por është një forcë energjie negative që cënon moralin, dhe pasionin e çdo punonjësi të policisë. A ka në policinë e shtetit njerëz që nuk meritojnë të jenë në këtë uniformë, që duhet të ishin në burg sepse e tradhtojnë këtë uniformë, patjetër. Por a meriton gjithë kjo trupë që i ka dhënë vendit një shpresë të re dhe një besim të ri që ne mund të bëjmë shtet. Ajo që ndodh çdo ditë ndaj policisë së shtetit është shtypja, që vjen me furinë e një dhune verbale të pangjashme me asgjë në botën ku jetojmë. Në asnjë vend normal të botës nuk mund të gjesh një opozitë e cila i kundërvihet policisë së shtetit me gjithë forcën e dëshpërimit të saj, duke çliruar çdo ditë energji negative që dëmtojnë moralin e çdo punonjësi policie.”- deklaroi Rama.
d.i.