Ergys Kaçe nuk do të lërë Kombëtaren. Përkundër raportimeve mediatike që paralajmëronin dicka të tillë, mesfushori ka konfirmuar se as nuk e ka menduar dicka të tillë. Supersport kontaktoi me 23-vjeçarin, i cili bëri të ditur se gjithcka në lidhje me këtë çështje e ka sqaruar në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit duke e sugjeruar në këtë mënyrë si pikë referimi pas lajmeve nga më kontradiktoret në lidhje me të.
Në intervistë, pyetjes se sa të vërteta janë aludimet për largimin e tij nga skuadra Kombëtare, Kaçe i përgjigjet: “Paraprakisht mund të them se këtu s’ka asgjë të vërtetë. Kurrë nuk kam menduar këtë gjë, e jo më ta deklaroj. Unë e dua Shqipërinë dhe jam krenar për atë që kam dhënë për kombëtaren shqiptare të futbollit. Do të vazhdoj të jap kontributin tim maksimal, në çdo ndeshje, duke treguar vlerat e mia, të cilat si gjithmonë do ti vë në shërbimi të skuadrës.”
Më tej Kaçe sqaron dhe marrëdhënien me trajnerin De Biasi ndërsa shprehet se nuk ka ndodhur asgjë e veçantë për të tërhequr vëmendje kaq të madhe, pasi e konsideron një komunikim normal me trajnerin pa harruar të theksojë se respekton trajnerin dhe zgjedhjet e tij si një futbollist profesionist. Kace shton se patjetër që ai dëshiron të aktivizohet më tepër, por e di që vetëm me punë do të arrijë synimet që ka vendosur në karrierën e tij ndaj dhe është i bindur se do të tregojë se sa vlen duke punuar akoma më tepër. Kace nuk e fsheh se komunikon shpesh me Presidentin e FSHF, Duka si një njeri që i qëndron pranë skuadrës kombëtare por kurrë nuk ka folur me të për largimin e tij nga kombëtarja apo dicka të tillë. Për sa i përket të ardhmes Kace i ka gjërat e qarta ndërsa premton se është i përkushtuar për të dhënë më të mirën si në klub, ashtu edhe me Kombëtaren Kuqezi.
SS/d.i.