Kryeministri, Edi Rama duket se është pajtuar sërish me deputetin Tom Doshi, i përjashtuar vitin e kaluar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për shkak të akuzave që të ashpra që lëshoi në adresë të kryeparlamentarit, Ilir Meta dhe disa ministrave të qeverisë.
“BalkanWeb” ka siguruar një video, të realizuar ditën e sotme ku Rama e Doshi shfaqen përkrah njëri-tjetrit në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, duke pritur Dom Ernest Troshanin, i cili dy ditë më parë u shpall kardinal nga Papa Francesku.
Më sa duket, kryeministri Rama e ka bërë Doshin pjesë të delegacionit zyrtar që do të priste në Rinas kardinalin.
Pas përjashtimit të deputetit të Shkodrës nga grupi i PS-së, marrëdhëniet mes tij dhe Ramës ishin ftohur. Megjithatë videoja e siguruar sot nga “BalkanWeb”, flet ndryshe.
Siç edhe duket nga pamjet Rama e Doshi i janë rikthyer miqësisë e bashkëpunimit me njëri-tjetrit pas gati 1 vit e gjysmë që kur shpërtheu çështja e Durim Bamit, personit të pretenduar nga deputeti se ishte pjesë e një skenari për ekzekutimin e tij nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta. ma.me