Pas raportit të Guardia di Finanza, edhe Misioni PAMECA bën vlerësime pozitive për policinë në luftën antikanabis. Në raportin gjashtëmujor të Misionit, thuhet ndër të tjera se fushata e asgjësimit të kanabisit në vend, mund të konsiderohet e suksesshme.
“Lidhur me fushatën për asgjësimin e kanabis sativa, shifrat janë domethënëse. Gjatë një muaji aktivitet, janë asgjësuar 332.590 bimë kanabis sativa. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015, shihet një rritje prej 30 për qind dhe krahasuar me gjithë vitin 2013, rritja është prej 237 për qind.
Ndërkohë në krahasim me 2014, shifrat e një muaji në 2016, nga 20 maji deri 20 qershor përbëjnë 40 për qind të rezultateve të vitit 2014. Po të marrim parasysh faktin se muaji gusht dhe shtator mund të japin sasi të ngjashme bimësh të asgjësuara bëhet e dukshme se fushata e asgjësimit e ndërmarrë nga Drejtoria e Sigurisë Publike, është e suksesshme”.
Një ditë më parë, “News 24” publikoi një raport të PAMECA-s, ku kritikohej rëndë Prokuroria dhe Gjykata për disa çështje hetimore dhe masa sigurie. Konkretisht në raport thuhej se hetimet e nisura ndaj kryepolicit Haki Çako bazoheshin vetëm në dyshime. Hetimet ndaj Emiljano Shullazit, sipas misionit konsideroheshin të cekëta, ndërsa lidhur me vendimin e Gykatës e cila caktoi ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, theksonte se nuk kishte arsyetim serioz.
ma.me