Në rast se për mos vendosjen e rripit të sigurimit ndëshkohesh vetëm me gjobë, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit policia rrugore propozon që të pezullohet edhe patenta.
“Masa administrative do të jetë disa herë më e lartë dhe do shoqërohet me masë plotësuese për lejen e drejtimit për drejtuesin që konstatohet duke përdorur telefonin. Aktualisht shumica e drejtuesve përdorin telefon tip android, që kërkon përdorimin e të dyja duarve dhe për pasojë shpërqendrohen, shkaktojnë pasoja në qarkullim dhe bëhen burim aksidentesh”, deklaron Ardi Veliu, drejtor i Policisë Rrugore.
Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, 15.4% e numrit total të aksidenteve kanë ardhur si pasojë e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, ku në 10.4% të rasteve kanë qenë aksidente me pasoja fatale për jetën.
Ndryshimet në Kodin Rrugor do të marrin disa muaj kohë me procedurat parlamentare. Krahas gjobës për celularët, që do variojë nga 5 mijë deri 15 mijë lekë, në Kod do të vendoset për herë të parë edhe gjoba këshilluese, e cila do të aplikohet për shoferët të cilët nuk kanë kryer me parë asnjë shkelje./tch/a.k