Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, prriti delegacionin francez te kryesuar nga Danielle Auroi, Presidente e Komitetit për Çështjet Europiane në Asamblenë Komëbtare të Francës.
Ministrja Gjosha shprehu falenderimet për mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë ne procesin e integrimit, duke theksuar se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë të gjitha reformat për ta çuar përpara këtë proces.
Presidentja e Komitetit për Çështjet Europiane në Asamblenë Komëbtare të Francës, Danielle Auroi, u shpreh se Franca do të vijojë të mbështesë Shqipërinë, si dhe vlerësoi progresin e bërë dhe veçanërisht miratimin me konsensus të reformës në drejtësi.
Ministrja Gjosha theksoi se reforma në drejtësi është një reformë historike, e cila është gjithashtu çelësi për të hedhur hapin e radhës me procesin, duke marrë një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave. “Qytetarët shqiptarë e meritojnë marrjen e një rekomandimi pozitiv në raportin që pritet të dalë për pak javë. Ne besojmë se reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje shumë problematikave në vendin tonë, ashtu sikurse duam që këtë reformë ta implementojmë përmes procesit të integrimit, duke marrë rezultatet“, u shpreh Gjosha.
Duke iu përgjigjur interesit të delegacionit mbi pozicionin e Shqipërisë në krizën që po kalon Europa sot, ministrja Gjosha u shpreh se rruga e integrimit të Shqipërisë është një rrugë pa kthim pas.
“Shqiptarët kanë çfarë t’i ofrojnë Europës. Janë sot populli me proeuropian dhe mendoj se ky moment për Bashkimin Europian duhet të jetë një moment reflektimi, në mënyrë që jo vetëm Shqipërisë, por gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor t’i ofrojnë perspektivën e qartë të anëtarësimit. Ne jemi të vetëdijshëm që ky është një proces i bazuar mbi meritën, por nga ana tjetër, mendojmë se vendet anëtarë duhet të jenë të drejtë, për çdo shtet aspirant, që plotëson kushtet për të avancuar me axhendën europiane”, tha ministrja Gjosha. /a.m.