Gerard Pique ka bërë të ditur se botërori i Rusisë do të jetë turneu i fundit ku ai do të marrë pjesë me kombëtaren spanjolle. Deklaratat e mbrojtësit të Barcelonës janë bërë mbrëmë, pas ndeshjes me Shqipërinë në Shkodër, ku ka pasur një tjetër rast akuzash ndaj tij nga ana e shtypit spanjoll.
Pique është akuzuar se ka prerë mëngët e fanellës me qëllim për të hequr simbolet e Spanjës.
“Botërori i Rusisë do të jetë i fundit për mua me këtë fanellë. Kjo që ndodhi sot është insinuata e fundit e një serie të gjatë. Nuk janë fjalë në të nxehtë, jam menduar gjatë dhe e kam marrë këtë vendim”.
Pique është një nga lojtarët më të përfshirë në betejën politike të Katalonjës për pavarësi nga Mbretëria e Spanjës dhe është akuzuar edhe në raste të tjera për gjeste e sjellje kundër simboleve, siç ishte rasti i gishtit të mesit gjatë ekzekutimit të himnit. Por në rastin e mbrëmshëm duket një situatë artificiale nga ana e shtypit spanjoll, pasi në mëngët e prera të fanellës nuk ka asnjë simbol apo ngjyrë të Spanjës dhe kjo është vënë në dukje edhe në komunikatën e nxjerrë nga Federata.
Për më tepër, Pique është parë të luajë me mëngë të shkurtra edhe me Barcelonën, ndërsa mbrëmë në Shkodër mbante poshtë një fanellë me mëngë të gjata, të puthitura pas krahëve, për t’u ngrohur e për të lëvizur i pabezdisur, duke shmangur në maksimum tërheqjet e kundërshtarëve, si në rastin e Agollit në foto.
d.i.