Anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, sqaron nenin e ri të Kodit të Etikës të Asamblesë Parlamentare, i cili nuk lejon bashkëshortët si anëtarë të saj.
Xhaçka në një intervistë për gazetën “Panorama”, shprehet se përcaktimi përjashtues nga asambleja për një nga bashkëshortët nuk është i vlefshëm për deputetët, të cilët janë automatikisht anëtarë dhe jo të zgjedhur.
“Kam parë shumë keqinterpretime të këtij neni nëpër gazeta e portale të nesërmen e Asamblesë Kombëtare. Unë dhe Artani jemi anëtarë exofficio të Asamblesë Kombëtare, si pasojë e të qenët deputetë të Partisë Socialiste. Kodi i Etikës tenton të rregullojë disa marrëdhënie etiko-morale për ta bërë sa më të drejtë vendimmarrjen e këtij forumi dhe nuk është as rregullore, as kod etike për veprimtarinë e deputetit”- thotë ajo.
Sipas Xhaçkës, deputetët dhe veprimtaria e tyre rregullohen nga kodi i tyre, jo ai i Asamblesë Kombëtare të PS-së. “Ndaj edhe kuptimi se ky kod etik i Asamblesë Kombëtare rrezikon mandatin e deputetit të njërit prej nesh është një keqkuptim i madh, pasi pika 3 e nenit, e cila citohet në këtë rast, nuk është për deputetët, por për papajtueshmërinë e mandatit të kryetarit të PS-së
në bashki apo komunë me funksione të tjera politike, të zgjedhura apo të emëruara në parti”, thotë ajo.
BW/d.i.