Atmosfera në qytetin e Shkodrës pak orë para ndeshjes me Spanjën për Eliminatoret e Botërorit 2018 është e ndezur, si për të trembur shiun e furishëm që pritet të bjerë sot. Aktualisht, dhjetëra tifozë kryesisht shkodranë kanë rrethuar prej orësh hotelin ku janë akomoduar lojtarët e kombëtares iberike, në pritje për të parë nga afër idhujt e tyre te Barcelona, Real Madridi apo Manchester United.
Ata besojnë se ish-kampionët e botës do të dalin nga “Grand Hotel Europa” për të bërë ndonjë xhiro nëpër qytet apo thjesht për të përshëndetur futbolldashësit në shesh, por “Tele Sport” ka mësuar se kjo nuk ka shans të ndodhë. Kampi i “Furisë së kuqe” jo vetëm që ka vendosur të mos zhvillojë stërvitjen e paradites në “Reshit Rusi”, por skuadra e teknikut Julen Lopetegui do të qëndrojë “e ngujuar” në hotel deri dy orë para takimit.
Në këto çaste, Andres Iniesta me shokë po zhvillojnë analizën para ndeshjes, ku Lopetegui po jep udhëzimet e parafundit taktike (të fundit janë ruajtur për në autobus gjatë rrugës për në stadiumin “Loro Boriçi”), duke u përpjekur – me siguri – t’u zbulojë lojtarëve të vet disa karakteristika të skuadrës sonë përfaqësuese. Dalëngadalë, besohet se tifozët rrotull hotelit të mirënjohur do të largohen.
Ndërkohë, një punonjës në “Grand Hotel Europa” zbulon për “Tele Sport” se spanjollët janë shumë të irrituar me gjithçka shqiptare. Çuditërisht, ata kanë përshtypjen se ne jemi një popull hajdutësh dhe pa klas. Kjo i mban ata larg tifozëve vendas dhe arsyeja shpjegohet me një shembull. “Dikush nga delegacioni i tyre më tha se emigrantët shqiptarë në Spanjë njihen si hajdutë. Lojtarët janë mbyllur në dhoma dhe nuk lëvizin që aty”, – shprehet burimi ynë. Me të vërtet për të ardhur keq, sepse ne do të donim që kombëtarja spanjolle të zbulojë virtytin tonë të mikpritjes, aq shumë të reklamuar prej nesh ndër shekuj./Telesport/a.k