Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Predrag Joviç, ka shprehur dëshirën që legjendën e futbollit kroat, Çiro Bllazheviç, ta sjell sërish në Kosovë.
Por, kësaj radhe jo që ta drejtojë KF Prishtinën, por pikërisht përfaqësuesen e Kosovës, e cila u mposht të enjten në Shkodër nga Kroacia me rezultat të thellë, 6:0.
Duke biseduar për mediumin kroat, “Jutarnji”, transmeton Koha.net, Joviq ka lavdëruar skuadrën kroate duke thënë se ata kanë një trajner cilësor, ndërsa Kosovës i mungon një i tillë, ndonëse tha se Albert Bunjaki është trajner me perspektivë.
“Shikoni, ju keni një trajner shumë cilësor, e neve na mungon një i tillë. Bunajki është premtues, por ne gabuam me formacionin qysh në fillim të ndeshjes.
Dua ta sjellim Çiro Bllazheviçin. E kujtoj shumë mirë kur ishte trajner i Prishtinës. Ashtu siç edhe është Çiro, mësues i mirë, autoritar, ashtu edhe ka punuar, nuk ka lënë anash asnjë detaj.
Na nevojitet një përzgjedhës i tillë, na nevojitet Çira. Veçse kam biseduar për këtë çështje me Fadil Vokrrin, dhe do të bisedojmë sërish.
Unë mendoj se nga pranvera e vitit të ardhshëm, Çiro do të mund të ishte përzgjedhës i Kosovës”, ka thënë Joviç për “Jutarnji”, transmeton Koha.net. (b.an)