Një argjendari në kryeqytet ka rënë pre e grabitësve mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në një dyqan pranë sheshit “Avni Rustemi”, ndërsa mësohet se kjo argjendari është grabitur edhe para tre muajsh pa mundur të identifikohet apo kapet autori.
Gjatë orëve të natës së mbrëmshme, persona ende të paidentifikuar kanë hyrë nga mbrapa dyqanit, pasi kanë arritur të krijojnë dy të çara në mur.
Më pas ata kanë hapur kasafortën duke marrë bizhuteritë, por nuk janë mjaftuar me kaq. Bie në sy fakti, se këta grabitës pasi kanë marrë flori dhe argjend, nuk kanë harruar të marrin edhe kamerat e sigurisë, dhe hard diskun, duke u përpjekur të zhdukin çdo gjurmë të tyre.
Pronari i argjendarisë, i cili ka konstatuar vjedhjen mëngjesin e sotëm kur ka hapur dyqanin, thotë se i janë vjedhur bizhuteri në vlerë 500-600 mijë euro, por burime nga policia nga policia thotë se dëmi llogaritet në 100 mijë euro raporton Balkanweb.
Sipas policisë, synimi i grabitësve ka qenë të merrnin xhiron ditore, por ata kanë gjetur çelësin e kasafortës në sirtar.
Sakaq kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre./a.m.