Zbardhen të tjera detaje në lidhje me ekzekutimin e 47-vjeçarit në Shkodër. Burime nga policia e Shkodrës deklaruan se Jozef Mujeci dyshohet se është ndihmuar nga dy persona, dhe konkretisht shtetasit L.M. dhe K.M,, përkatësisht 37 dhe 29 vjeç, banues në fshatin Koljake të Lezhës. Sipas këtyre burimeve, 21- vjeçari në bashkëpunim me këta dy persona që janë shpallur në kërkim kanë vrarë me automatik 47- vjeçarin Genc Mhillaj nga fshati Malecaj. Ndërkaq, burime nga policia e Lezhës pohuan se dy personat e shpallur në kërkim janë kushërinjtë e autorit të krimit dhe se në vrasjen e Mhillajt kanë marrë pjesë dhe babai e vëllai i Jozefit. Pra rezulton se në vrasje janë përfshirë 5 persona.
KONFLIKTI
Gjithçka ka zënë fill disa ditë më parë, në fshatin Torovicë, ku autori i ka bllokuar rrugën viktimës. Genc Mhillaj ka dalë nga mjeti i tij dhe ka ofenduar me fjalor të rëndë të riun Mujeci. Ky i fundit është nervozuar, ndërsa i ka kërkuar 47- vjeçarit të tërheqë mbrapsht sharjet ndaj tij dhe t’i kërkojë falje. Mhillaj nuk është penduar për fjalët e thëna dhe është larguar nga aty. 21- vjeçari (kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika, ku jetonte prej disa kohësh) nuk e ka lënë me aq. Ai ka monitoruar 47-vjeçarin në çdo lëvizje. Ndërkaq, paraditen e së enjtes (sipas policisë së Lezhës), i riu së bashku me babain, vëllain dhe dy kushërinjtë kanë vendosur të marrin hak (ta rrahin) Genc Mhillajn. Ata kanë udhëtuar me një makinë tip “Audi” (iu është gjetur në banesë dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale) drejt Malit të Jushit dhe i kanë prerë rrugën kamionçinës tip “Iveko” në pronësi të Mhillajt.
Ata ia kanë bërë me shenjë 47- vjeçarit që të zbresë nga mjeti. Njëri prej autorëve të pritës ka marrë një dru në dorë, i gatshëm për ta rrahur. Në një situatë të tillë, viktima ka zbritur nga kamionçina, por ka ikur me vrap drejt tokës që kishte marrë me qira. Në këtë moment, autorët kanë parë se ai ishte i armatosur me një pistoletë tip “TT”, ndaj nga frika se mund të shtinte ndaj tyre e kanë qëlluar për vdekje me automatik. Policia ka gjetur në vendngjarje 10 gëzhoja automatiku si dhe pistoletën e viktimës.