Nga Mentor Kikia
Lajmi për krijimin e partisë nga deputeti Ben Blushi dhe mbështetësit e tij(deri tani vetëm deputetja Hafizi nga radhët e parlamentit) mori komente të shumta. Disa mendojnë se ai s’do të sjellë asgjë në skenë, thjeshtë do të jetë partia e radhës. Disa mendojnë se do të çajë të majtën(se ç’të çash më në të majtë..). Por më tërhoqën vëmendjen disa “sygjerime” apo konstatime që vinin edhe nga pena jo pa rëndësi në lëmin e analizës politike.
Si psh: Ku do ti gjejë paratë Blushi? Sepse që të merresh me politikë duhen shumë para!!!! A ka biznesmenë të fuqishëm që do ta mbështesin atë? A do të bëjë ai aleancë me LSI-në kundër PS-së e PD-së?…Sepse që të vish në pushtet duhet ndonjëherë të lëpish edhe ç’ke pështyrë!!!!
Në fakt unë mendoj se Blushi pikërisht këto nuk duhet të bëjë, nëse ka ndërmend të bëjë ato që ka paralajmëruar. Demokracinë e shkatërruan dhe inkriminuan pikërisht ata biznesmenët e fortë e të fuqishëm, në sipërmarrjet e të cilëve nuk merret vesh se ku mbaron biznesmeni e ku fillon trafikanti. Ata u afruan në politikë për të çuar më tej punët e tyre(shpesh të pista), e për të përfituar në mënyrë korruptive nga pushteti që financojnë. Ndërsa partitë i tërhoqën sepse u duhen para për të blerë vota, për të paguar fushatat super të shtrenjta, për të paguar banda për të vjedhur e “ruajtur” votat nga hajdutëria e njëri-tjetrit. Kjo ka bërë që sot biznesmenët të bëjnë ligjin, të diktojnë politikanët dhe vendimmarrjen. Kjo ka bërë që në parlament të ketë më shumë tregtarë sesa politikanë. Nëse edhe Blushi do të mbledhë këtë soj, të rikthehet ku ishte se ishte mirë.
Nëse Blushi do të mendojë të bëjë aleanca me ata që ka akuzuar deri tani, për të fituar pushtet, atëherë të rikthehet sërish ku ishte se në aleancë ishte.
Blush, për të thënë gjëra të mençura nuk duhet doemos të hipësh në skena gjigande, me tapete, fishekzjarre, këngëtarka me tanga dhe prozhektorë të mëdhenj. Mund tu flasësh njerëzve edhe hipur mbi një pod të thjeshtë me dërrasa, apo edhe mbi një shkallë, me një mikrofon, megafon, apo thjeshtë me zërin tënd. Abraham Linkolni i lexonte fjalimet e tij edhe nga ballkoni i hotelit, e madje edhe në pemë, kur s’kishte ku të hipte. Madje një nga fjalimet më më të bukur e ka lexuar mbi një “skenë” të ndërtuar me disa arka mallrash në një port.
Rëndësi ka çfarë thua dhe çfarë bën!