Portieri i Lihtenshtejnit, Peter Jehle, ka shprehur në fund të ndeshjes pakënaqësinë e tij për sjelljen e tifozëve shqiptarë në stadiumin e Vaduzit.
Ishte minuta e 72-të, kur 6000 spektatorët e “Rheinpark” u tronditën në stolat ku ishin ulur si pasojë e fishekzjarrëve të hedhur nga fansat kuqezi.
“Ato materiale janë tmerrësisht të zhurmshme, aq sa më pas veshët vërshëllejnë për pak kohë. Gjithashtu përdorimi i tyre është shumë i rrezikshëm. Kameramani që ishte afër meje dhe akoma më afër tifozëve u frikësua aq shumë sa nuk u kthye më aty për disa minuta. Nuk e di çdo të ndodhte nëse ato fishekzjarrë më kapnin në vesh. Është idiotësi”, ka thënë Jehle për “Blick”.
Pas njoftimit nga spikeri i stadiumit se ndeshja mund të ndërpritej, fansat shqiptarë u qetësuan dhe u sollën si duhet deri në fund për të festuar fitoren 0-2, shkruan panorama Sport.
Ky incident rrezikon që FIFA ta gjobisë sërish Shqipërinë, ku vetëm para disa ditësh u dënua sjella e tifozëve në ndeshjen ndaj Maqedonisë, madje jo vetëm me gjobë financiare por edhe me paralajmërim për zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë. /a.m.