Reshjet e dendura të shiut që kanë shoqëruar Kukësin kanë bërë që të vështirësohet qarkullimi në rrugën e Kombit, konkretisht në aksin Kalimash-Kukës-Morinë.
Në këtë segment rrugor, ku çdo vit fenomeni i rënieve të dherave e gurëve është evident, kanë qenë të pranishme duke sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve. Kompania mirëmbjatëse “Marsi” me 20 punonjës dhe mjete po punon vazhdimisht për pastrimin e rrugës, ndërsa apeluan tek drejtuesit e automjeteve për kujdes gjatë udhëtimit për shkak të pikave të rrezikshme të këtij segmenti ku rrëshqitja e dherave dhe gurëve është gjithnjë e pranishme në mot me shi. Ora news raporton se qarkullimi është vështirësuar edhe për shkak të fluksit të madh të lëvizjes, lagështisë dhe prezencës së mjegullës së dendur në disa segmente të autostradës.
Edhe qyteti i Kukësit u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe për pasoje pati vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe të banorëve. Ka patur probleme të energjisë në Njësinë Administrative Bicaj, Bashkia Kukës, problem i cili është rregulluar. Aktualisht i gjithë qarku Kukës furnizohet me energji elektrike.Furnizimi me ujë të pijshëm vazhdon normalisht. Komisioni i Emergjencave Civile të Prefekturës dhe Bashkisë Kukës vazhdon të ndjekë situatat sipas informacioneve të marra duke e shoqëruar me detyrat përkatëse./a.k.