Graziano Pelle është përjashtuar nga ekipi i Italisë për ndeshjen e ardhshme kundër Maqedonisë, pasi refuzoi të përshëndetej me selektorin Giampiero Ventura pas zëvendësimit të tij në duelin ndaj Spanjës.
Sulmuesi i Shandong Luneng ishte titullar në barazimin 1:1 kundër Spanjës në Torino. Por, u zëvendësua nga Ciro Immobile pas një ore lojë kur “Azzurrët” ishin në disavantazh pas golit të Vitolo. Italia në fund e shpëtoi një pikë pas penalltisë së Daniele De Rossit.
“Giampiero Ventura në marrëveshje me FIGC ka vendosur ta përjashtojë Graziano Pellen nga ekipi për ndeshjen ndaj Maqedonisë të dielën më 9 tetor në Shkup për sjellje të pahijshme në momentin e zëvendësimit në takimin ndaj Spanjës”, thuhej në komunikatën e FIGC-së./a.m.