Gjëja e vetme e zorshme për të siguruar në Shkodër, në këto ditë kur do të luajë Kosova dhe Shqipëria, është një dhomë hoteli. Edhe ato pak dhoma që kanë mbetur të lira mund të rezervohen vetëm me dyfishin e çmimit të zakonshëm, shkruan Koha Ditore.
E mërkura ishte e qetë në qytetin e Shkodrës, ndonëse gjatë këtyre ditëve në stadiumin “Loro Borici” do të zhvillohen dy ndeshje eliminatore për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Të enjten (sot) Përfaqësuesja e Kosovës përballet me Kroacinë, kurse tri ditë më vonë Shqipëria do të përballet me Spanjën.
Me gjithë bujën e madhe në media, në Prishtinë e Tiranë, jo të paktë ishin shkodranët që nuk dinin gjë për këto ndeshje. Por, ishte një grup tjetër në këtë qytet që ishte përgatitur mirë për këto ballafaqime – ai i biznesit, sidomos hotelet.
Çmimet e ushqimit dhe të pijeve ishin të njëjtat, por jo edhe ato të hoteleve që kanë shfrytëzuar këto ndeshje për të kërkuar dyfish më shumë për qëndrim.
Edhe pse shumica e hoteleve nuk kishin vende të lira për periudhën nga 5 deri më 9 tetor, çmimet nuk përputheshin me çmimoret e tyre në uebfaqe apo edhe në afishet që kishin ngjitur më herët përskaj recepsioneve. I tillë ishte edhe rasti me hotelin “Eposi”…(b.an)