Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se reforma territoriale e realilzuar nga qeveria “Rama” rezulton një dështim total. Sipas tij, bashkitë e reja kanë fryrë stafet dhe dhe janë rritur shpenzimet për pagat. Po ashtu, sipas Berishës, ndryshe nga sa ishte premtuar, pas reformës janë ulur ndjeshëm investimet krahasuar me vitet e shkuara.
Postimi i Berishës në facebook:
Reforma teritoriale apo elektorale e Edvinit, apo reforma e xhepit, braktisje e Shqiperise rurale. Rriten shpenzimet për paga me 35%, investimet ulen me 41% krahasuar me nje vit me pare dhe jane 4 here me te ulta se sa 3 vjet me pare!
Reforma e re territoriale që reduktoi numrin e njësive vendore nga rreth 360 në vetëm 60 njësi nuk ka sjellë rezultatet e pritshme për të kursyer rreth 60 milionë euro në formën e shpenzimeve për pagesat e personelit, por përkundrazi i ka rritur edhe më tej ato. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në gjashtëmujorin e parë të vitit, njësitë vendore rritën shpenzimet për pagat me 35 për qind.
Nga 4.6 miliardë lekë që ishin shpenzimet për paga në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, ato arritën në 6.3 miliardë lekë në janar-qershor 2016. Në të njëjtën masë u rritën edhe shpenzimet për sigurime shoqërore, teksa shihet se fondet e dedikuara për infrastrukturën janë ulur ndjeshëm.
Fondet për shpenzimet kapitale ishin 41 për qind më të ulëta se një vit më parë. Në gjashtëmujorin e parë 2016, njësitë e reja vendore alokuan 3.4 miliardë lekë në formën e shpenzimeve kapitale. Kundrej 5,9 miliard lek qe u alokuan per te njejten periudhe nje vit me pare dhe 12,3 miliard lek qe u alokuan ne te njejten periudhe te vitit 2013.
Qeveria aktuale aplikoi një nga reformat më të mëdha në vend për ndarjen territoriale gjatë vitit të kaluar me argumentin kryesor, përdorimin me eficiencë të fondeve publike.
Me përqendrimin e komunave në bashkitë e mëdha, Ministria e Financave kishte përllogaritur të kursente së paku 60 milionë euro nga shkurtimi i personelit, të cilat do të rishpërndaheshin për investime, në shkolla, rrugë etj.
Por tani kur ka kaluar gati një vit nga zbatimi i reformës së re, pritshmëritë kanë shkuar në të kundërtën. Bashkitë e reja kanë fryrë edhe më tej stafet, duke çuar 48 për qind të fondeve në dispozicion për rroga, teksa shihet se shpenzimet për shërbimet bazë janë ulur dukshëm.
Njësitë e reja vendore në vitin e parë të qeverisjes së tyre nuk kanë qenë të suksesshme në pastrimin e territoreve. Disa zona turistike u tejmbushën me plehra, duke qenë jashtë syve të zyrave bashkiake. sb