Kreu i opozitës, Lulzim Basha deklaroi sot se PD do ta votojë nesër ligjin për SPAK-un i miratuar në komision me konsensus si pjesë e reformës në drejtësi. Në një deklaratë për mediat para selisë së PD, Basha ka një përgjigje edhe për ambasadorin e SHBA.
Ndërsa është pyetur për një koment për animimin e “Vettingut” në Kushtetuese, ndërsa ambasadori i SHBA-ve, i kërkoi PD që mos ta çonte, Basha tha se kjo ‘kërkesë’ është lexuar gabim dhe se nuk pret që asnjë ambasador t’i tregojë detyrën.
“Nuk pres që asnjë ambasador të më tregojë detyrën. Unë kam detyrën time, ambasadorët kanë punën e tyre. Unë e kam kryer me ndërgjegje të plotë”, deklaroi Basha.
Ndërsa për SPAK, kreu i PD akuzoi maxhorancën se përdori shumë mënyra për të marrë kontrollin por se me këmbënguljen e PD ky ligj ka ardhur në standarde evropiane.
“Ligji nesër është plotësisht në përputhje me standardin e kërkuar nga PD që në fillim dhe ligji kalon me votat tona. Sipas informacioneve që kam unë, 20 ton kanabis janë sekuestruar sot. Edi Rama, Saimir Tahiri, Ilir Beqaj etj, nesër nuk do të kenë ditën më të mirë të jetës së tyre. Struktura që votohet nesër do të jenë makthi i çdo zyrtari të korruptuar., Ligji për SPAK i zgjidh duart punonjësve të ndershëm që hetimet për zullumet e përditshme që shkatërrojnë mirëqenien e qytetarëve, zhdukin subvencionet, qytetarët shqiptarë të cilët janë viktima kryesore e korrupsionit në nivele të paprecedent dhe krimit të ngritur në pushtet, nesër do të kenë një lajm të mirë me ngritjen e strukturës antikorrupsion”, u shpreh Basha.
Për ligjet e tjera, Basha tha se qëndrimi i PD do të jetë njësoj si me ligjin e “Vettingut”, duke nënkuptuar kështu votën kundër.
ma.me