Portrete të cilat përshkohen nga një dozë trishtimi, të përmbledhura në ciklin e fotografive me titull “Koha e akullit”, do të prezantohet para audiencës italiane.
Qyteti veriperëndimor italian, Asti, është vendi ku do të ekspozohen 15 fotografi të fotografit nga Kosova, Fahredin Spahija, shkruan “Koha Ditore”.
Për herë të parë, këto fotografi, Spahija i kishte ekspozuar në shtator në galerinë “Arkapi” të Shkodrës, në një ekspozitë të përbashkët me fotografen shkodrane, Rozafa Shpuza.
Ekspozita e cila qe konceptuar si paraqitje e dy autorëve me stile krejtësisht të ndryshme e ballafaqim i fotografisë klasike me atë eksperimentuese apo konceptuale, më 15 të këtij muaji do të bartet në qytetin italian.
Fotografitë e dy autorëve shqiptarë do të ekspozohen në hapësirat e “Biblioteca Astense Giorgio Faletti”, që mban emrin e shkrimtarit të njohur italian, Giorgio Faletti.
Biblioteka konsiderohet si një nga veprat më të bukura arkitektonike të këtij qyteti dhe ambientet e saj shfrytëzohen për ekspozita arti dhe ngjarje kulturore.
Ekspozita që organizohet është në kuadër të disa ngjarjeve kulturore që kanë për qëllim prezantimin e kulturës shqiptare për audiencën italiane. Organizatorë të saj janë “Alb Art Associazione Culturale”, “Biblioteca Astense Giorgio Faletti”, “Centro Provinciale Istruzione Adulti” dhe “Fondazione Migrantes”.
“Bëhet fjalë për ciklin tim të fundit, të cilin kam filluar ta realizoj tash e katër vite më parë. Cikli ‘Koha e akullit’ mendoj se e dëshmon pjekurinë time artistike në fushën e artit fotografik, që përveç teknikës krejtësisht origjinale karakterizohet edhe për nga atmosfera që e përshkon”, ka thënë Spahija.
Ai ka shtuar se temat të cilat janë pjesë e këtij cikli, janë kryesisht nudo dhe portrete që përshkohen nga një dozë trishtimi… (b.an)