Në 1300 metra katrorë, Salla e Artë, Labirinti i Zi, Salloni i Kuq, Dhoma e Bardhë, Ballkoni Soditës dhe fondet strehojnë 8000 objekte të artit bizantin, prej të cilave 6500 janë ikona. Lorenc Glozheni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të përuruar të hënën në Korçë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon përmbajtjen e secilit ambient, veçantitë e atyre që janë ekspozuar, detajet e artit dhe religjionit, që vijnë së bashku në një muze ku ndihet fjala e fundit e teknologjisë. Ndarja e sallave, mënyra si ruhen ose si ekspozohen, objektet e rralla që ‘zbulohen’ e që deri më tash qenë sekrete të muzeut sqarohen nga Glozheni, i cili në përgjigje të interesit tonë, nuk ngurron të japë emra, data dhe sqarime që janë parë të nevojshme.
Ndër to, ai i përgjigjet edhe shqetësimit për ‘murin e verdhë’, ku ikonat janë vënë shumë afër njëra-tjetrës dhe shumë lart në mur, deri në tavan, çka në pamje të parë i bën të duken të pavëzhgueshme. Përtej fjalimeve që mbajtën kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro për muzeun në fjalë, vizitorët e “specializuar”, si rrallëherë japin vlerësimet më të mira për muzeun. “Ai muze është nderim ndaj trashëgimisë kulturore, nderim ndaj artit, nderim ndaj çdo shqiptari që çmon artin dhe trashëgiminë, krenari për mënyrën si prezanton shtetin dhe kombin”, tha dje për “GSH”, arkivisti dhe bizantinologu Sokol Çunga.
Ndërsa muzikologu Vasil Sofokli Tole shton se: “Në fillim të krijonte një befasi fakti që nuk i kundroje dot ato nga afër. Por, pas ndjekjes së linjës muzeore shumë interesante, ku kontakti me ikonat ishte nga shumë afër duke përdorur ndriçime të ngrohta, vetëm atëherë, në përfundim të vizitës kuptoje se shpërndarja në lartësi e ikonave i ngjasonte një afresku kishtar. Ky i pikturuar jo në mur, por në copa ikonash si gurë mozaiku. Të krijonte idenë e një yllësie shenjtorësh që qëndronin mbi kokat e njerëzve ashtu siç vërtet qëndrojnë edhe nëpër ikonostaset tradicionale. Ky ishte një raport që sa vinte e zvogëlohej duke ngjitur shkallët e muzeut, dhe gradualisht vizitori barazohej me të shenjtët. Muze ARTI dhe pasuri e rrallë falë mjeshtërve si Onufri, Shpataraku, Zografët etj.”. Më poshtë, intervista me Glozhenin për thesaret e trashëguara nga shekulli XIII.
– Salla e Artë, Labirinti i Zi, Salloni i Kuq, Dhoma e Bardhë, Ballkoni Soditës; cila është domethënia e këtyre sallave në Muzeun e ri të Artit Mesjetar në Korçë?
Këta emra janë vënë nga ai që ka konceptuar muzeun dhe janë vënë në bazë të ngjyrave të sallave. Salloni i Kuq është i tëri në ngjyrë të kuqe, Labirinti i Zi është një dhomë e zezë me ikona, dhomë e cila ka disa ‘prerje’ përmes të cilave hyn nga një ambient në një tjetër. Nga Ballkoni Soditës shihen ikonat e Sallës së Verdhë etj.
– Mes ikonave, 250 janë të paekspozuara më herët. Të cilëve autorë janë, të cilës periudhë, dhe pse dalin sot për herë të parë?
Dalin tani për herë të parë sepse në muzeun e vjetër nuk kishte ambient ekspozimi. Tani, në muzeun e ri u rrit sipërfaqja e ekspozimit e, ndërsa atje kishim vetëm 130 ikona të ekspozuara dhe disa objekte të tjera, te i riu janë rreth 400 ikona. Nga këto, ato që dalin për herë të parë janë në murin e verdhë. Qëllimi i këtij muri është që, sa hyn vizitori, të godasë te muri i verdhë- duke i krijuar një impresion të jashtëzakonshëm. Në fakt, kështu ndodhi vërtet tani që po vijnë vizitorë te muzeu i ri. Këtu tregohet që ky është një muze me një numër shumë të madh ikonash. Ne kemi gjithsej 8000 objekte, prej të cilave 6500 janë ikona. Sa u takon autorëve, disa ikona të shekullit XV i kanë autorët anonimë. Në njërën prej tyre për shembull, paraqitet “Krishti Pantokrator” dhe origjina është Boboshtica e Korçës. Disa ikona të tjera i takojë Shkollës së Beratit, ku përfshihet Nikolla Onufri. Është vendosur në ekspozim edhe një afresk për herë të parë- është një afresk i shek. XVI i Onufrit që vjen nga kisha “Konstandini dhe Elena” në Berat. Afresku paraqet “Kostandinin dhe Elenën”, dy shenjtët nënë e bir. Për herë të parë kemi ekspozuar edhe 15 baldakinë- pjesë e sipërme e ikonostasit, të cilat janë të fundit të shek. XVII dhe të fillimit të shek. XVIII. Sërish për herë të parë është ekspozuar një kryq masiv i gdhendur, një kryq i madh. Janë ekspozuar po ashtu edhe 10 ikona të ateliesë së Zografëve nga Korça, si dhe disa ikona të Kostandin Jeromonahut. Një ndër më të veçantat është një ikonë e Shën e Premtes e shek. XVII, që vjen nga kisha e Postenanit nga Erseka.
– Pse është e veçantë kjo ikonë?
Sepse është restauruar në një bashkëpunim që ne kemi pasur me Selanikun, dhe nga ky restaurim, kemi mundur të kemi një rikuperim përmes të cilit ka dalë në dritë origjinali. Ikona i ka qenë nënshtruar një ripikturimi dhe kështu ka qenë kur e kemi ekspozuar ne, e pas restaurimit, ndërsa pas ndërhyrjes ka dalë në dritë origjinali pa pjesën që i ishte shtuar. Bëhet fjalë për një pjesë të dëmtuar që ka qenë ripikturuar.
– A ka prej këtyre ikonave, nga ato që i kanë shpëtuar trafikimit?
Nuk kemi asnjë ikonë që i ka shpëtuar trafikimit. Që prej vitit 1980 e deri më sot, neve nuk na ka humbur, as nuk na është vjedhur asnjë ikonë.
– Cilat prej këtyre ikonave ose objekteve cilësohen më me vlerë?
Ne e fillojmë vendosjen e ikonave që nga shek. XIII dhe XIV, e më pas janë ato të shekujve XV e më tej. Ka disa që janë anonime, pra pa autorë të shënuar. Ndërsa në shek. XVI fillojnë ikonat që kanë edhe autorë, e po ashtu në shekujt e mëpasshëm. Nga shek. XVI kemi Onufrin, kemi ikonat e djalit të tij Nikollës, vazhdojmë me ikonat e Onufër Qipriotit, me ato të mësues Kostandinit të shek. XVII, me ikonat e Kostandin Jeromonahut, me Shpatarakun, me vëllezërit Çetiri, vëllezërit Zografi, e të tjerë, deri te Zengo. Vlera kanë që të gjitha. Veçohet te këto për shembull Onufri, me të kuqen e tij të njohur edhe në literaturë.
– Në njërën prej sallave ka vetëm dy ikona. Çfarë i bën ato aq të veçanta sa t’u kushtohet një sallë e tërë?
Këtu janë vendosur dy ikona të shek. XVIII të Athanas Zografit. Janë ikona të mëdha, ndryshe nga pjesa më e madhe që janë ikona ikonostasesh. Këto të dyja, janë ikona që vijnë nga kishat e Korçës. Ajo që i bën të veçanta është niveli i lartë artistik, dhe duhet të shtojmë që në shek. XVIII, atelieja e vëllezërve Zografi është një nga më dinjitozet në Ballkan. Një ikonë quhet “Sinodi i parë Ekumenik”- mbledhje që zhvillohet nën mbikëqyrjen e Perandorin Bizantin Kostandin dhe shoqërohet poshtë me një skenë të rrallë, të betejës së Kostandinit, ku dhe i shfaqet Kryqi, çka shënon zyrtarizimin e fesë kristiane. Ikona tjetër paraqet Trininë e Shenjtë, e shoqëruar me figurat e tre hierarkëve të mëdhenj të kishës. Kjo sallë, ndër të fundit, është lënë me qëllim që vizitori të marrë këtë si impresion të mbramë. Ka edhe gjashtë ikona të Zografëve, dhe është vendosur më tej edhe një derë e jashtme e kishës së Maligradit në Prespë- kjo është e shek. XIV. Më tej, afër daljes, ka një katalog, dhe në shkallët zbritëse, ka objekte metalike si kapakë ungjilli, gota kungimi dhe disa lloje kryqesh në dru të lyera me ar e argjend. Një nga kapakët e ungjillit është interesant, vjen nga Kisha e Shën Kollit në Voskopojë dhe është e shek. XVIII- është i ruajtur mirë dhe ka skena nga Bibla të gdhendura.
-Sa metra katrorë është muzeu dhe si ndahet kjo hapësirë?
Muzeu është rreth 1300 metra katrorë, nga të cilat 500 metra katrorë është salla e fondeve, e kjo e ndarë në 15 dhoma ku: janë vendosur raftet e lëvizshme ku vihen ikonat me dimensione më të vogla, janë dy dhoma me rafte të lëvizshme, dy me rafte të palëvizshme, ku kryesisht do vihen objekte të tjera jo ikona, por tekstil, dru, metale dhe letër. Në këto rafte vihen edhe ikonat që kanë probleme, që nuk mund të vendosen në këmbë por shtrirë. Dhe pastaj në 9 dhoma të tjera janë vënë shina të lëvizshme, brenda parametrave bashkëkohorë, në të cilat do varen të gjitha ikonat e mëdha që janë në gjendje të mirë, ose ato me pak dëmtime dhe që nuk dëmtohen duke qëndruar në këmbë.
-Si do funksionojë Laboratori i Restaurimit? Vetëm për ikonat e muzeut?
Kemi disa laboratorë. Në atë të restaurimit do shihen ikonat e muzeut dhe ato të institucioneve të tjera që kanë mangësi në restaurim. Gjithashtu, në bazë të marrëveshjeve mund të restaurojmë edhe ikona që i kanë pronarë në shtëpitë e tyre kundrejt pagesës, plus shumë e rëndësishme është që po krijohet një ambient si dhoma e dezinfektimit të ikonave. Në periudha të caktuara, do kalojnë aty të tëra ikonat për t’u dezinfektuar, po edhe objektet e tjera, në dru, tekstil dhe letër. Njëkohësisht edhe nga institucionet e tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri mund të vijnë të dezinfektohen, meqë është i vetmi në Shqipëri.
-Përveç ikonave, çfarë objektesh të tjera ka në muze?
Kemi objekte në dru, gur, tekstil, metal dhe letër. Kemi ungjij, veshje priftërinjsh ose qilima.
-Nga cilat kisha kanë ardhur këto ikona?
Janë nga e gjithë Shqipëria, por pjesa më e madhe e tyre vijnë nga rajoni i Korçës dhe nga rrethinat e saj, Boboshtica, Mborja, Voskopoja, Opari, Vithkuqi, Pogradeci etj. Kemi edhe nga kishat katolike të veriut, kemi nga ato disa statuja që vijnë nga kishat katolike të Tiranës dhe Shkodrës, që kanë ardhur para 1980-ës, pasi siç e dini mbledhja e këtyre objekteve ka filluar pas vitit 1967.
– Veç ikonës që ka kthyer familja e francezit, a ka të tjera kthime nga ata që i kishit marrë më herët?
Jo, nuk kemi të tjera.
– Përveç trashëgimisë sonë kulturore që prezantohet në këtë muze, si është raporti mes të shenjtës dhe të çmuarës? Mes vlerave shpirtërore dhe atyre artistike, mes asaj që ato paraqesin për një besimtar dhe për një vizitor?
Muzeu vizitohet nga shumë grupe të ndryshme, që nga studiues të artit bizantin, nga vizitorë të zakonshëm të thjeshtë, e deri te besimtarë- secili sheh atë që intereson; të huajt e studiuesit shohin anën artistike, të tjerët anën religjioze.
-Gjatë ditës së djeshme ka pasur kritika për sallën e verdhë, për mënyrën se si janë vënë ikonat aty- afër njëra-tjetrës deri afër tavanit. A është e mundur që ato të shihen nga vizitori?
Qëllimi i asaj salle është ai i impresionit. Megjithatë, ne kemi vënë një legjendë dhe i kemi fotografuar të gjitha ikonat- i kemi vënë sa ngjit shkallët dhe përkrah janë vënë edhe karakteristikat, përmasat, detajet etj. Ai që ka interes, i sheh, se në rreshtin e parë janë vënë etiketat përkatëse, që nga autori, origjina etj.
-Si mund të shihen ato ikona që janë afër tavanit? Si është menduar të arrihet kjo lartësi?
Më lart ju fola për Ballkonin Soditës; nga ky ballkon shihen të gjitha. Kur je në kat të dytë, ke një ballkon nga ku i sheh. Vendosja e ekspozitës është bërë sipas rendit kronologjik dhe ikonat në ballkon shihen të gjitha; shikon ikonën dhe fotografinë, dhe gjen edhe të dhënat për këtë ikonë.
Fatmira Nikolli/BW/d.i.