Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, sugjeron që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të mënjanojë influencën e Sali Berishës në vendimmarrjen e partisë.
Në një bisedë me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, Mustafaj kërkon që Basha të ndjekë modelin që Kancelarja Angela Merkel zgjodhi me paraardhësin e saj, shkruan “Panorama”.
“Unë besoj se ka qenë shumë e vështirë të drejtosh Partinë Demokratike në këtë periudhë. Ka qenë shumë e vështirë për arsye të ekzistencës së Sali Berishës. Unë menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2013, publikisht kam kërkuar që të zgjatet tranzicioni dhe të filloj një garë brenda Partisë Demokratike. Të fillonte një garë e vërtetë, le të ishte 6 muaj, pasi PD-ja do të drejtohej nga një triumvirat i caktuar. Unë besoj që Basha do të fitonte, por gara do të ishte stërvitja e domosdoshme që ai ta merrte me një siguri më të lartë në vetvete drejtimin e Partisë Demokratike. Duke e marrë me një siguri më të madhe do të arrinte t’i tregonte kufirin Sali Berishës. Në shkrimet e mia kam thënë se ajo që Basha duhet të bënte me Berishën, duhet të ishte ajo që bëri Merkel me Kohl. Merkel ishte një produkt shumë më laboratorik i Helmut Kohl, sesa Basha i Berishës, sepse Merkel, një femër nga Gjermania Lindore të merrte CDU-në, partinë konservatore më të madhe në Europë, mund të kalonte vetëm duke ia dhënë çelësat Helmut Kohl. Ai e bëri. Në fund të fjalës së parë të saj, ajo i tha Kohl-it: Nuk ke më punë në parti!”- thotw Mustafaj.
Sipas tij, kjo eshtë e njëjtë me atë që thotë Frojdi “të vrasësh babain”.
“Basha duhet ta bënte këtë gjë. Basha për shumë arsye nuk e ka bërë publikisht këtë dhe e gjithë lufta që i bëhet nga kundërshtarët, i bëhet për këtë arsye”, shton Mustafaj.
Gjatë rrëfimit të tij, ish-ministri ka shpjeguar edhe dilemat brenda vetes për të zgjedhur mes shkrimtarit dhe politikanit.
Mustafaj shpjegon se, ndonëse ka pasur dhe vijon të ketë ftesë për të qenë pjesë e politikës aktive në PD, vendimi i tij është që për aq kohë sa nuk e ndien sa duhet politikën, të mos jetë pjesë e saj.
Në rrëfimin e tij, Mustafaj ka sqaruar edhe arsyet e dorëheqjes së tij, marrëdhënien me Berishën dhe ftesën e Fatos Nanos për të qenë ministër i tij.
Panorama/d.i.