Ish Kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza drejtuar Ambasadës së SHBA-ve në lidhje me një njoftim të kësaj ambasade të javës së kaluar, që lajmëronte shtetasit amerikanë për protestën e shoqërisë civile të shtunën e kaluar.
Në njoftim shkruhej se në protestë do të kishte pjesëmarrje dhe drejtim të opozitës. Këtë njoftim Berisha e ka cilësuar sikur të ishte i shkruajtur në zyrën e shtypit në PS nga vetë Gramoz Ruçi.
I ftuar në emisionin Studio e Hapur, Berisha ka vijuar, duke thënë se një ambasador nuk mund të bëjë sikur është Guvernator, apo të sillet si një arbitër. Ish Kryeministri ka theksuar se Ambasadori Lu e ka treguar në mënyrë të hapur mbështetjen ndaj Ramës, duke argumentuar se prej disa herësh ka bë deklarime kundër liderit të opozitës dhe asnjëherë ndaj Kryeministrit.
“Unë mendoj se ajo ishte një njoftim shumë i panevojshëm dhe i gabuar. Unë mendoj se që një ambasadë të bëhet interpret i Edi Ramës, nuk është gjë e menduar dhe s’duhej të ndodhte.
Ishte një njoftim sikur të ishte shkruar në zyrat e Partisë Socialiste…
Unë po të kisha patur ndonjëherë ndonjë mision diplomatik… gjëja e parë që do të bëja, do të ishte të mos bëja gurvernatorin… të mos bëja më shumë se ç’jam… ata shprehin mendimet e qeverive të tyre, ata nuk janë arbitra!”- tha Berisha.
Berisha: Nuk ka zgjedhje në 2017
Ish kryeministri Berisha është shprehur se në vitin 2017 nuk do të ketë zgjedhje, por kanabis. Duke folur për tezën e një qeverie teknike, Berisha tha se ajo është zgjidhja e PD-së për të patur zgjedhje, duke shtuar se, pa të, nuk do të ketë në vitin 2017 zgjedhje.
“Zgjedhje nuk do të ketë, do të ketë kanabis… Peshkopia e tregoi sesi ishte!”– tha Berisha.
Reforma në Kushtetuese u bë nga PD dhe LSI
Sipas ish kryeministrit Sali Berisha reforma në drejtësi, konkretisht ndryshimet në Kushtetutë, u arritën falë bashkëpunimit mes LSI-së dhe PD-së. Madje Berisha ka shktuar se PD nuk mund të ndryshonte qëndrim për Vettingun, ndryshe nga çbëri LSI për të.
Largimi im nga drejtimi i PD është përfundimtar, por politikën nuk e lë
Ish kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve në emision, nëse ai ka ndërmend të vijësërish në krye të PD-së, apo nëse ka ndërmend të largohet nga politika.
Berisha tha se nuk kërkon të marrë asnjë post në PD, përveç atij të deputetit, ndërsa në lidhje me largimin e tij nga politika, Berisha tha se do të largohet kur ta lënë fuqitë fizike.
Ish kryeministri ka shtuar se Edi Rama vuan nga kompleksi “Berisha”.
/java/a.k