Ngjarja e rëndë në Lazarat ka rikthyer vëmendjen tek fshati famëkeq, jo vetëm të mediave shqiptare por edhe të atyre ndërkombëtare. Është agjencia e njohur Reuters e cila ka bërë një raportim për situatën në Lazarat.
“Një oficer i forcave elitare policore në Shqipëri është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të mërkurën, duke i dhënë një tjetër goditje rendit në një rajon të njohur prej kohësh për prodhimin e kanabisit në shkallë industriale.
Policia shqiptare tha se oficerët u qëlluan kur ndaluan një makinë, që kishte brenda persona të armatosur. Të shtënat fatale erdhën nga një shtëpi aty pranë”. raporton Reuters
Në artikull theksohet se në Lazarat një vit më parë u krye super aksioni i policisë ndaj personave që kultivonin kanabis me një vlerë prej 4.5 miliardë euro. Sipas Reuters, mendohet se personat e armatosur që kanë qëlluar mbi policinë janë pjesë e grupit që bëri rezistencë gjatë operacionit të madh policor vitin e shkuar.
“Lazarati ishte një turp për Shqipërinë, që është anëtare e NATO-s dhe tani aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Mendohet se ka fare pak prodhim kanabisi në Lazarat tani, por rajoni ruan një reputacion për sfidimin e autoriteteve ligjore”. shprehet Reuters