Të tjera detaje nga masakra në fshatin Dajç që ndodhi mbrëmjen e së hënës zbulohen nga hetimet. Mësohet se autori Miklovan Parubi kishte pasur një konflikt me një prej të plagosurve, konkretisht Ndok Marku, 35 vjeç, i cili ka qenë edhe shënjestra e tij.
Por viktima, 42-vjeçari Arjet Saiti, njëkohësisht pronari i lokalit ka tentuar t’i marrë armën. Autori në gjendje të rënduar për shkak edhe të konsumimit të alkoolit ka qëlluar pa kontroll raporton BW. Më parë ai ka bërtitur “Do ju vras të gjithëve” dhe ka shtënë me breshëri automatiku duke vrarë Saitin dhe Gacalin Kopshtin, e duke lënë 4 të plagosur.
Shpërblimi i Policisë
Policia e Shkodrës vijon kërkimet për gjetjen e autorit të krimit. Uniformat blu kanë vënë në dispozicion edhe një shpërblim prej 500.000 lekësh të reja për çdo informacion për vendndodhjen e autorit.
“Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se ofron një shpërblim prej 500.000 lekë, për çdo informacion që çon në saktësimin e vendndodhjes së autorit të ngjarjes duke siguruar anonimatin. Për çdo të dhënë mund të kontaktoni në çdo kohë në numrat e telefonit 069 41 01 985 dhe 069 41 02 060, por dhe në numrin 129”, njofton Policia.
Kërkimet janë shtrirë në zonën e Nënshkodrës me qëllim kapjen dhe vënien para drejtësisë së autorit të ngjarjes./a.m.