4900 lekë në taketuken e makinës dhe 2 mijë lekë bakshish për rojën sekser, e kalon kontrollin teknik edhe po ke defekte. Kjo është mënyra sesi e kalojnë automjetet kontrollin teknik në Qendrën e Kontrollit Teknik të automjeteve në Lushnje. Radhët e gjata të automjeteve për kolaudim, por edhe korrupsioni i punonjësve kanë detyruar një grup shoferësh të Lushnjës që t’i drejtohen emisionit “Fiks Fare”.
Kamera e “Fiks Fare” dokumentoi me zë dhe figurë një tjetër rast korrupsioni, ku disa punonjës marrin para për të kaluar një makinë në kolaudim. Mbrëmjen e së hënës, emisioni transmetoi investigimin në Qendrat Rajonale të Kolaudimit në Durrës dhe Lushnje.
Gazetarët e Fiks fare me 7 mijë lekë të reja, kaluan një mjet pa u kontrolluar imtësisht. Pronari i automjetit kishte tentuar ta kalonte këtë mjet në Tiranë, por nuk ia kishte arritur.
Gazetarët marrin mjetin problematik dhe udhëtojnë fillimisht drejt qytetit të Durrësit. Në kolaudimin e Durrësit, gazetarët takojnë rojën. Ai është personi që ndërmjetëson dërgimin e automjetit të gazetarëve në qendrën e kontrollit teknik në Lushnje. Ai kërkon lekë për t’i adresuar dhe garantuar kalimin në kolaudimin e Lushnjës. U kërkon 1 mijë lekë të reja bakshish , madje u jep letrën rekomanduese për në Lushnje.
“Ti je duke ikur në Lushnje dhe atje e kalon me 30 mijë lekë (të vjetra). Të jap një emër, t’i thuash të fala nga filani dhe të shkosh e ta bësh”, është “rekomandimi” i rojës për gazetarët. Më pas shpjegon të gjitha procedurat që duhet të ndiqen. “Fillimisht do të futesh brenda me makinë, do të lësh letrat dhe do t’u thuash punëtorëve se më ka dërguar A.V. Lekët do ja lësh tek kroskoti”, vijonte roja në Durrës, ndërsa i mësoi gazetarët se duhet t’i afroheshin rojës dhe t’i thoshin në vesh “të jap 30 mijë lekë(të vjetra)”.
Pas këtij “rekomandimi”, gazetarët kanë shkuar pranë Drejtorisë Rajonale të Kolaudimit në Lushnje. Punonjësit u thonë se duhet të paguash kolaudimin prej 2 mijë lekësh, që të hyjë makina në kontroll. Gazetari i thotë punonjësit se i ka paguar të gjitha taksat, ndërsa punonjësi i përgjigjet se “taksat i hëngri Rama ore. Është privat kjo, do paguash 20 mijë lekë”. Gazetarët presin taksën e kolaudimit dhe vendosin makinën në parkim, para pikës së kolaudimit.
Në vendin që quhet “taketuke e duhanit” lënë 2900 lekë (të reja).
Më pas, siç duket edhe nga pamjet, inxhinieri merr makinën dhe gjatë rrugës për tek kolaudimi, hap “taketuken e duhanit” dhe merr lekët, të cilat i fut në xhep. Pasi hyn në kolaudim, sërish fut dorën në xhep dhe nxjerr lekët dhe i numëron. Pasi nxjerr makinën nga pika e kontrollit, inxhinieri dërgon rojën.
“Më dërgoi inxhinieri. Më tha ik me makinën dhe hajde nga ora 15:30 se kanë ardhur kontroll nga Tirana”, u thotë roja gazetarëve. Në orën 15:30, gazetarët paraqiten sërish te pika e kontrollit. Në këtë orë, inxhinieri iu komunikon se “jam duke e futur brenda për një kontroll formal more burri i dheut”. Ai u thotë gazetarëve se t’i lënë ku të duan lekët se nuk ka asnjë problem.
Gazetarët lënë 2 mijë lekë të tjera sipër taketukes, pranë levës së marshit dhe më pas inxhinieri futet në makinë. Ai e merr makinën dhe e fut formalisht në pikën e kontrollit. Gjatë rrugës, merr 2 mijë lekëshin dhe i fut në xhep. Pasi e nxjerr makinën nga pika e kontrollit, vjen roja që u thotë gazetarëve që të marrin letrën.
Në fund, inxhinieri merr faturën e pagesës së kolaudimit dhe më pas përshëndetet përzemërsisht me gazetarët, të cilët dokumentuan të gjithë skemën sesi një automjet me probleme kaloi në pikën e kolaudimit.