Një 54 vjeçar është deklaruar fajtor nga Gjykata e Tiranës për tentativën e tërheqjes së parava në një bankomat përmes kartave bankare të falsifikuara. I pandehuri Kujtim Saqe u akuzua për “mashtrim kompjuterik”, mbetur në tentativë dhe u dënua me 8 muaj heqje lirie. Ai u arrestua në 5 prill të këtij viti rreth orës 13:20, në ambientet e një qëndre tregtare pranë autostradës Tiranë-Durrës.
Fillimisht 54 vjeçari u ndalua nga punonjësit e sigurisë private të qëndrës tregtare, të cilët konstatuan se ai kishte një shumë të konsiderueshme kartash bankare, me të cilat po përpiqej të tërhitë para në një pajisje ATM.
“Shërbimi i Ruajtjes Fizike te objektit ka njoftuar shërbimin e Policisë se Komisariatit nr. 6, te cilët shkuan ne vend dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Kujtim Saqe.
Gjate kontrollit personal i janë gjetur nga këto shërbime 14 karta bankare dhe karta të tjera me shirit manjetik”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Gjatë hetimit, ai deklaroi se kartat që iu sekuestruan i ka gjetur në rrugë dhe i përdorte me synimin për të tërhequr para nga bankomatet e bankave të ndryshme. Gjatë deklarimeve të tij ai ka shtuar se në asnjë moment nuk ka mundur të tërheqë para përmes kartave që kishte.
ma.me