Violetta Valéry – një kurtizane e famshme, e cila në aktin e tretë të një prej operave më të popullarizuara ne histori, përjeton fund tragjik – është roli me të cilin sopranoja kosovare që tashmë ka bërë emër në skenën operistike bullgare, por edhe i ka siguruar vetes edhe një sfidë të re.
Besa Llugiqi, mbrëmjen e së premtes ka debutuar me rolin kryesor të operës “La traviata” të Guiseppe Verdit. Opera Shtetërore në qytetin Stara Zagora në Bullgari ka hapur sezonin e ri operistik me këtë rrëfim dashurie, që shoqërohet me sakrifica dhe keqkuptime, shkruan “Koha Ditore”.
E përveç duartrokitjeve të audiencës që ka mbushur plot 600 vendet e shtëpisë së njohur operistike, Llugiqi ka siguruar një rol të ri.
Udhëheqësi i “State Opera – Stara Zagora”, Ognyan Draganov, i ka bërë ftesë Llugiqit që të përgatisë rolin e Mimit në operën “La bohème” të Giacomo Puccinit që do të jepet premierë në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Paraprakisht, në dhjetor të këtij viti, Llugiqi do të rikthehet edhe një herë me rolin kompleks e shumë kërkues të Violettas për reprizën e “La traviata”. Llugiqi, ka thënë se për këtë rol kishte punuar një vit. (b.an)