Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp, trajneri i Kosovës ka thumbuar jo pak Shqipërinë dhe lojtarët që kanë zgjedhur të luajnë për të edhe pas pranimit të Kosovës si një ekip i njohur nga UEFA dhe FIFA.
“Grezda, Latifi dhe Llullaku kanë zgjedhur të luajnë me Shqipërinë dhe të mos vijnë te Kosova, për shkak se ne kemi shumë sulmues dhe konkurrenca është tepër e madhe”, ka deklaruar Bunjaki. Më tej, ai ka thumbuar edhe Shqipërinë me faktin që Kosova është duke furnizuar edhe skuadrat e tjera me lojtarë.
“Është mirë që kemi lojtarë për t’i furnizuar edhe shtetet e tjera. Ne kemi fazën sulmuese shumë të mirë me Rashicën, Celinën, Berishën, Bernard Berishën, Bytyqin, Zenelin e tjerë”, ka vijuar numri një i pankinës së Kosovës.
Flamuri i Shqipërisë
Në ndeshje të ndryshme që zhvillohen në stadiume anembanë botës, vihen re flamuj të shumë shteteve që nuk kanë të bëjnë me ekipet që kanë zbritur në fushën e lojës, mirëpo për takimet që do të luajë Kosova, do të mbetet rregulli i ndalimit të flamujve “të tretë”.
“Flamujt e vendeve të treta mund të ndalohen edhe në këtë ndeshje. Flamuri i Shqipërisë mund të mos lejohet as në Shkodër”, u shpreh Bunjaki, ndërkohë që e njëjta gjë ndodhi edhe në sfidën e parë kualifikuese të kësaj përfaqësueseje.
Panorama/d.i.