Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur një aksion të gjerë për kontrollin e të gjitha subjekteve në vend, që merren me tregtimin dhe prodhimin e produkteve ushqimore. Inspektorët e AKU-së, kanë kryer kontrolle në tregje të hapura, në minimarkete, në subjekte që tregtojnë mish e qumësht si dhe në të gjitha bizneset e tjera, për të parë se sa këto subjekte respektojnë kushtet për sigurinë ushqimore. Nga kontrollet e kryera nga data 23-30 shtator, janë marrë 73 masa “Paralajmërim” për bllokim, si dhe janë vendosur gjoba ndaj bizneseve që tregtojnë pa plotësuar kushtet.
Tiranë
Në Qarkun e Tiranës janë kryer 32 inspektime. Kontrolli është fokusuar në minimarkete, thertore, supermarkete, baxho, qendra të paketimit të vezëve si dhe në farmaci bujqësore. Nga kontrollet është vënë re, mungesë e kushteve higjieno-sanitare, mungesë të dokumentacionit dhe mossistemim i produkteve. Janë dhënë 3 masa “Paralajmërim” për bllokim, ndërkohë që bizneset e tjera janë këshilluar për kushtet që duhet të plotësojnë.
Durrës
Brenda një jave janë kryer 79 Inspektime në produktet ushqimore, te produktet me orgjinë shtazore dhe në sektorin e mbrojtjes së bimëve. Inspektimet janë kryer në markete, supermarkete, subjekte që tregtojnë mish, djathë, peshk, qofte etj. Janë dhënë masa administrative “Paralajmërim” për 9 subjekte. Gjithashtu në Durrës janë kryer analizat edhe për qumështin e papërpunuar, ku nga analizat ka rezultuar se një subjekt tregtonte qumësht, që nuk plotësonte kushtet.
Shkodër
Në Qarkun Shkodër janë kryer 75 Inspektime, ku janë marrë 19 masa Administrative “Paralajmërime”, si dhe janë vendosur gjobat përkatëse ndaj këtyre subjekteve. Për sa i përket qumështit, 2 subjekte kanë rezultuar se e tregtonin jashtë normave të lejuara.
Vlorë
Në Qarkun e Vlorës janë kryer 26 inspektime, ku janë marrë masa “Paralajmërim” për bllokim, për 7 biznese. Aksioni është përqendruar te kontrolli i produkteve ushqimore , si dhe te qumështi.
Berat
Janë kryer 44 inspektime, në subjekte që prodhojnë mish, në thertore, baxho, restorante, markete etj. Janë dhënë 8 masa “Paralajmërim” për bllokim, si dhe janë këshilluar subjektet për kushtet që duhet të plotësojnë në kontrollin e ardhshëm që do të bëjnë inspektorët e Autoriteti Kombëtar të Ushqimit.
Fier
Në Qarkun Fier janë kryer 36 inspektime, ku janë paralajmëruar 18 subjekte. 3 biznese kanë mbyllur aktivitetin, pasi më herët janë gjobitur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, për mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
Gjirokastër
Në Qarkun Gjirokastër janë kryer 37 inspektime, në subjekte që tregtojnë produktet e qumështit. Janë kontrolluar marketet dhe restorantet, ku janë vendosur 6 gjoba me vlerë nga 15 mijë deri në 60 mijë lekë. Gjithashtu janë paralajmëruar 4 subjekte të tjera.
Dibër
Në Qarkun Dibër janë kryer 12 inspektime, duke filluar nga furrat e bukës, deri te subjektet që përpunojnë fruta, raporton shqip. Janë dhënë 4 masa “Paralajmërim”, për shkak se disa produkte tregtoheshin, pa plotësuar kushtet e parashikuara në ligj.
Korçë
Në Qarkun Korçë janë kontrolluar 51 subjekte. Kontrolli është fokusuar në tregje, në Bar-Kafe dhe në “Fast-Food”. Inspektorët e AKU-së, kanë parë nga afër kushtet në të cilat tregtoheshin produktet ushqimore, ku është marrë masa pezullim aktiviteti për një subjekt.