Nga qarku i Fierit, Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar fermerëve që të aplikojnë në Fondin Kombëtar të Garancisë, si një mundësi shumë e mirë financimi. Por, në të njëjtën kohë, ka kërkuar bashkëpunimin e fermerëve me bashkitë, në mënyrë që të hartohet projekti i duhur.
“Kemi krijuar një procedurë shumë të thjeshtë që nuk detyron fermerët të shkojnë te bankat, por ne bëjmë gjithë procesin e ndërmjetëm. Janë rreth 300 milionë euro potencialisht që ne mund t’i thithim në këtë proces. Ama, nëse ne nuk jemi aktivë dhe nuk bëjmë punën tonë, detyrën tonë si fermerë dhe si qeveri, ato mbeten aty dhe nuk i marrim dot, sepse duhet të kemi projekte të shkruara mirë dhe aplikime bindëse për bankat. Garancinë e vë shteti. Nuk keni nevojë ta vini ju”, sqaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar dhe përfundimin e rikonstruksionit të plotë të shkollës 9-vjeçare “Andon Xoxa”, që tashmë nuk i shërben vetëm 1050 nxënësve, por me terrenet sportive, i shërben edhe komunitetit.
Në një bashkëbisedim me maturantët, Rama ka theksuar se sistemi i regjistrimit në shkollën e lartë plotësohet me reformën në arsimin e mesëm, që u heq detyrimin nxënësve për të përcaktuar lëndët me zgjedhje që në vitin e parë.
“Sistemi i ri i regjistrimeve në shkollën e lartë është garanci e plotë që fatin, secili e ka në dorën e vet, nuk e përcakton dot më as miku, as partia, as leku”, tha Rama.
Në Roskovec, kreu i qeverisë ka parë punimet e përfunduara në rrugën hyrëse të qytetit si dhe ato që janë duke vijuar për ndërtimin e unazës së re të qytetit, me një vlerë 87 milionë lekë, që do të shërbejë në lehtësimin e trafikut./tch/a.k