Pas letrës së djeshme të Blushit ku thoshte se largohej përfundimisht nga PS dhe konsiderimi i Partisë së tij si “kazan”, ka reaguar sot deputetja socialiste Blerina Gjylameti. Gjylameti është e ashpër ndaj Blushit teksa i kujton se sa herë ky i fundit takonte ndonjë të varfër në Elbasan, shkonte e lante duart. Deputetja, i shtron edhe ca pyetje Blushit, duke treguar kështu se ai në fakt nuk ka qenë kurrë pjesë e aksioneve politike të PS në opozitë.
Ja ç’shkruan Gjylameti në Facebook:
“Blushi! E lexova edhe unë letrën tënde fyese për ne që paskemi ndotur dorën tënde kur ta paskemi dhënë dorën tonë. Në fakt, duke qenë se nuk e mbaj mend të më kesh dhënë ndonjëherë dorën, mund të ndjehesha mirë personalisht kur lexova atë letër çedukuese për çdo nxënës. Por s’kam si ndjehem mire kur mendoj për gjithë të tjerët që kanë pasur privilegjin të të japin dorën ty. Që siç e dinë të gjithë nuk di t’i japësh askujt dorën njerëzisht! Aq sa u bëre barcaletë në Elbasan, që shkoje laje duart sa herë takoje ndonjë nga të varfrit që ke marrë përsipër të përfaqësosh sa herë ngre dorën kundër qeverisë dhe PS, që kur nuk u bëre ministër. Në fakt kur nuk të njihja dhe s’kisha pasur fatkeqësinë të të dëgjoja se me çfarë gjuhe të rëndomtë flet me njerëzit kur s’ke kamerat përpara, çoç më dukeshe. Po kur të njoha dhe provova vetë në lëkurë, ofendimet e tua skandaloze, kuptova edhe sa i lehtë je në gjykimet e tua që i shet gjithë pompozitet. Kuptova që ti s’merr vesh nga asgjë që merr përsipër të gjykosh jashtë fushës së profesionit tënd. S’e kam për librat sepse s’të kam lexuar asnjë të them të drejtën, pasi në atë pak kohë të lirë që më mbetet lexoj letërsi të miratuar botërisht si cilësore. Po e kam për llafollogjinë tënde politike që është një fukarallëk i madh. Kam tre vjet që dëgjoj dënglat e tua në parlament dhe habitem me cektësinë dhe hipokrizinë tënde. Di të them që ti je një llafazan pa asnjë ide tjetër të madhe në kokë përveç delirit tënd të madhështisë.
Blush, ti je një nga njerëzit që je privilegjuar përherë në PS, pa sakrifikuar asgjë për të dhe kolegët e tu. Ku ishe ti Blush, në grevën e urisë? Ku ishe ti Blush, në betejën për votën e lire? Ku ishe ti, në 21 janar? Ti gjithmonë je fshehur. Nuk ke dale kurrë në krye të aksioneve të socialistëve, të protestave, por ke qenë përherë i pari në përfitime. Ai kazan, ku ti fut kolegët, është vendi ku ti herë pas here ke nevojë të kthjellohesh e të kuptosh se ke fituar me të padrejtë në këtë parti, prej 20 vjetësh. E meqë e ke me qejf riciklimin, po të them që mbetesh hipokrit dhe egoist i pariciklueshem!
Ikja jote nga PS dhe mënyra si ike, duke sharë e ofenduar njerëzit që deri dje kishe delirin se mund t’i udhëhiqje, janë pasqyra më e mirë që u ke dhënë njerëzve për të parë se sa njeri i vogël je! Rrugë të mbarë Blushi dhe kujdes dorën tani që vendose të luftosh hapur për plehrat. Shyqyr që me firmën e asaj dore, s’na i solle dot në Shqipëri kur ishe ministër.“/Lexo.al