E çuditshme, por e vërtetë. Është vetëm java e pestë dhe nga Superiorja ka ikur trajneri i parë (Bexhi nga Teuta për motive krejtësisht personale). E megjithatë, për shkak të ekipeve ende të pakonsoliduara, për shkak të lojës jo bindëse dhe jo rezultative, disa nga pankinat kanë nisur të ziejnë tashmë.
Po, sepse për klube si Partizani, Kukësi, Tirana dhe Flamurtari pritshmëritë janë të larta. Asnjë nga trajnerët e këtyre skuadrave nuk ka pasur fatin e Agostinelit, pra të fitojë edhe duke luajtur shëmtuar. Për këtë arsye, java e pestë është një provë e rrezikshme për disa trajnerë, që fati e desh t’i vendosë përballë njëri-tjetrit.
Sormani
Dyshja “më e rrezikuar” është pa dyshim Sormani-Gjoka. Te Partizani u ka sosur durimi me teorinë se “krijojmë shumë, por na mungon goli”. Një hap fals me Kukësin dhe një humbje do të komprometonte seriozisht pozitat e trajnerit italian, që ende nuk ka mundur të fitojë simpatinë e tifozëve. Me sa duket ai e ka ndier këtë dhe ka vendosur të hedhë në fushë lojtarët që “i ka kërkuar edhe publiku”, si për të treguar në rast dështimi se ai i bëri gjërat siç duhej.
Presidenti Gaz Demi pat deklaruar javë më parë se ai do respektojë kontratën që mbaron pas dy vitesh, por deklarata tjetër pas derbit: “rezultat që as më gëzon dhe as më mërzit”, mund të lexohet edhe si një sinjal i qartë se nëse këtë javë thellohet diferenca me Skënderbeun, atëherë trajneri është në telashe.
Gjoka
Mund ta nisësh menjëherë me trofe, por nëse fillon të shkëputesh shumë nga kreu, atëherë Gjici bëhet i pamëshirshëm. Rregulli vlen edhe për trajnerin Gjoka, i cili është i vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet. Por kjo nuk është më sekrete, pasi Gjici pat deklaruar publikisht para skuadrës se do t’ua falte të gjitha nëse mundnin Partizanin. Në rast të kundërt… stafi është i paralajmëruar.
Daja
Është përpjekur t’i marrë maksimumin një Tirane ende të pakonsoliduar, por nuk ka pasur as fatin me vete. Skuadra e tij ende nuk ka gjetur fitoren e parë dhe tensioni rreth e rrotull ka nisur të ndihet. Flamurtari është një provë delikate jo vetëm për të, por edhe për lojtarët dhe vetë drejtuesit. Tifozët e Tiranës zor se do ta kapërcejnë një blof të mundshëm me Flamurtarin.
Magani
Më pak i rrezikuari, por ndoshta më i zhgënjyeri nga të tijtë. Skuadra është dukshëm e paekuilibruar dhe diskutimet për financat i kanë kaluar limitet. Nëse nuk sheh ndonjë sinjal pozitiv në ndeshjen me bardheblutë nesër, mund të jetë pikërisht ai vetë që të rishikojë planin për të ardhmen…