Një foshnjë e porsalindur e seksit femër ende e gjallë, dhe “pjesët e skeletit” të asaj që pretendohet të jetë një tjetër fëmijë, janë gjetur në një valixhe në Gjermani. Lajmi tronditës është bërë i ditur nga website N-tv.
Siç raportojnë mediat lokale, shëndeti i foshnjës, është i “qëndrueshëm”. Valixhja u zbulua në një apartament në Hanover, ndërsa pas konstatimit, vogëlushja është sjellë me urgjencë në spital ku i është dhënë edhe ndihma e nevojshme mjekësore.
Ishte telefonata e një djali 11 vjeçar ai i cili telefonoi policinë për të raportuar praninë e valixhes me fëmijët në shtëpinë e Hanoverit.
Lidhur me këtë ngjarje në pranga është vënë nëna e dyshuar e fëmijëve. Sipas N-tv, duke cituar burime të Prokurorisë, nëna e pretenduar e vogëlushes (dhe ndoshta i djalit tjetër që u gjet i vdekur), u arrestua në vendin e punës.
Ajo është një grua 22 vjeçe, emri i të cilës nuk është bërë i ditur, e cila tani për tani nuk ka preferuar të thyejë heshtjen përpara policisë, shkruan noa. Gjithashtu janë ende të paqarta edhe lidhjet mes gruas së re dhe djalit 11 vjeç që njoftoi policinë për ngjarjen. Pritet që të dalin edhe përfundimet e autopsisë së fëmijës për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së tij.