Kanë kaluar 11 vite prej ditës kur Liljana Mulliri Boro, nga Vidohova e Devollit, vrau dhe hodhi në pus nipin e mitur të ish-të dashurit të saj. Për më shumë se një dekadë, gruaja mbart në shpirt jo vetëm barrën e krimit makabër, që tronditi mbarë vendin, por edhe dramën e madhe të vrasjes së tre djemve të saj.
Mes lotësh, Liljana, e cila ka mbetur fillikat e vetme, shpreh pendesë dhe pranon se është fajtore e njëherazi shkaktare e vrasjes së tre djemve që lindi dhe atij që e vrau, të cilit prej kohësh e konsideron si birin e saj.
“Jam fajtore, e pranoj. Unë jam penduar se atje janë katër djemtë e mi, jo tre djemtë e mi. Ai është djali im, unë nuk do ta ndaj atë asnjëherë, asnjëherë nuk e kam ndarë.”- shprehet Liljana Mulliri.
Nga qelitë e burgut 325, Liljana Mulliri, i bën thirrje ministrit të Drejtësisë, ti ulë sigurinë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të shkonte pranë varreve te tre djemve, Taulantit, Xhiljanit dhe Edit, të cilët u vranë pesë vite pasi ajo ishte burgosur.
“Kërkoj të më hiqet siguria e lartë, vetëm për të vajtur tek ata fëmijë. Kur vete atje më duket sikur i kam gjallë. Unë në çdo moment e ndjej fjalën e tyre, dhe unë e ndjej që ata çdo moment janë me mua, edhe pse janë atje. Do ti lutesha shumë ministrit të Drejtësisë të ma hiqte sigurinë e lartë se ajo më pengon shumë.”- shprehet Liljana.
E dënuara me 25 vite burg, e konsideron veten një nënë fatkeqe dhe mes ngashërimash, thotë se i vetmi motiv qe është ende gjallë, është kujtimi i djemve të vrarë, pasi jeta për të, mbaroi që ditën që vrau fëmijën e pafajshëm.
“Unë me ato kujtime jetoj sot. kujtimet e atyre fëmijëve mua më mbajnë gjallë. Kujtimet e Edit të vogël që ishte 16 vjeç, që në bankën e shkollës vunë vetëm një tufë me lule. Si ja bëri dora që i vrau ata fëmijë, më mbylli derën, më la me duar në gji. Nuk dua të paragjykoj njerëzit, do thonë dhe ti ke bërë një gjë, por unë jam shumë e penduar.”- deklaron Liljana.
Liljana Mulliri, u dënua me 25 vite burg për vrasjen e Alberto Xhihanit, me xhaxhain e të cilit pati një lidhje intime. Në vitin 2010, Besim Karaj, nga fshati Thumanë i Krujës, i ekzekutoi tre djemtë. Gruaja këmbëngul se Karaj u pagua për ta kryer krimin dhe se djemtë iu vranë për motive hakmarrje. Zyrtarisht, thuhet se Karaj i vrau tre djemtë e familjes Mulliri, pasi më i madhi prej tyre, Taulanti, kishte një lidhje intime me gruan e autorit.