Edhe sot, pas pesë ditësh të takimeve intensive për çështjet e kodit telefonik në Bruksel, nuk është arritur ende marrëveshja për implementim, me gjithë përparimet e vogla në disa aspekte.
Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë, ministrja Edita Tahiri deklaron se gjatë gjithë kësaj kohe delegacioni i Kosovës ka mbrojtur interesat e shtetit, ka mbrojtur marrëveshjen për telekom dhe planin aksional dhe kategorikisht ka qenë i vendosur të mos pranojë kërkesat e palës serbe që dalin jashtë marrëveshjes për telekomin.
Siç është thënë edhe më përpara pala serbe duke e shkelur marrëveshjen ka kërkuar shtrirje të antenave të telekomit në të gjithë Kosovën dhe ka pasur tendenca për t’i uzurpuar asetet e telekomit të Kosovës.
Delegacioni i Kosovës i është përgjigjur palës serbe, se këto janë vija të kuqe të përcaktuara me marrëveshjen e Telekomit, prandaj edhe nuk ka lejuar devijimin nga marrëveshja, citohet Koha. (b.an)