Shkolla e mesme “Miti Zaka” në Divjakë ku mësojnë 500 nxënës është ristrukturuar plotësisht, me një investim prej mbi 86 milionë lekë.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ishte në këtë shkollë, ku zhvilloi edhe një bisedë me maturantët mbi sistemin e ri të aplikimit për studimet e larta.
Edi Rama deklaroi se pranimi në universitete me miratimin e reformës në arsimin e lartë nuk kalon më nga leku, miku, apo partia, por nga merita.
Sipas kryeministrit nuk do mbetet njeri që e meriton dhe që plotëson kriteret pa shkuar në shkollë.
“Sistemi duhet t’i shërbejë më të mirëve dhe më vjen shumë mirë që pas 25 vjetësh, ne e kthyem sistemin në një sistem që i shërben më të mirëve dhe që sot të gjithëve u garanton një gjë, e kanë në dorë vetëm vetë. Nuk e ka në dorë askush tjetër. As miku, as partia, as leku”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri siguroi se ky sistem u dëshmua se funksionon dhe të gjitha kuotat e vëna në dispozicion për arsimin e lartë do të plotësohen.
“Fakti që dhe këtu nga Divjaka, në raundin e parë kanë fituar 55 studentë, e kanë zgjedhur tani atë që kanë dashur, tregon që sistemi funksionon.
Ashtu sikundër nuk do mbetet njeri që e meriton dhe që plotëson kriteret pa shkuar në shkollë, sepse ata që fituan në raundin e parë, praktikisht zunë nga 10 degë, apo 9 ose 8, vetëm një vend.
E janë vetëm pesë mijë e pak vende të zëna. Të gjitha vendet e tjera janë të lira dhe për vendet e lira tani konkurrohet në raundin e dytë e pastaj nuk ka më raund të tretë, por ka një sistem të vijës së kuqe që zbret në mënyrë kompjuterike. Kështu gjithë kuotat e vëna në dispozicion do të plotësohen.”
Aplikimi për herë të parë këtë vit i këtij sistemi ka nxjerrë si nevojë korrigjimin e detyrimit që ka nxënësi të përcaktojë lëndët me zgjedhje që në vitin e parë. Ky problem, bëri të ditur Kryeministri, do të adresohet me reformën e shkollës së mesme.
“Tani sistemi me reformën e gjimnazit korrigjohet. Ndërkohë që ju mblidheni mirë mendjen, sepse vitin e ardhshëm do të përballeni me një maturë shtetërore dhe me një aplikim që nuk do të jetë i lehtë,” – nënvizoi Kryeministri.
Reforma e shkollës së mesme, tha ministrja Nikolla, do të lehtësojë nxënësit gjithashtu nga mbingarkesa, duke i orientuar nga lëndët që pëlqejnë.
“Është një reformë që ju do ju japi shanse të reja dhe mundësi të reja për të gjetur veten në lëndët që jepen në gjimnaz, duke ju lehtësuar nga mbingarkesa e tepërt dhe duke ju orientuar drejt karrierës dhe lëndëve që ju pëlqejnë më shumë.”
Rikosntruksioni i shkollës ka përfshirë ambientet e brendshme, klasat, laboratorët, si dhe ambientet e jashtme me rikualifikimin e terreneve sportive, ndërtimin e palestrës, të fushave sportive dhe amfiteatrit.
E veçanta në projektimin e ambienteve të jashtme është konceptimi i tyre në formën e pallatit të sportit, që do të shërbejë edhe si qendër komunitare. Edhe 200 vogëlushë të kopshtit të Divjakës do ta kalojnë ditën në ambientet e reja pas rikonstruksionit. Për t’u ardhur në ndihmë nënave, kopshti ka kaluar edhe në kopsht me drekë.
Po ashtu, 700 nxënësit e shkollës “Koli Sako” kanë në dispozicion një palestër të re, e cila do të jetë e hapur për ta edhe pas orëve të mësimit, sikundër edhe për komunitetin. Investime këto prej 60 milionë lekë.
shqiptarja.com/d.i.