Instituti i Statistikave publikoi të dhënat për tregtinë me pakicë në tremujorin e dytë. Sipas INSTAT indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë u rrit me 6.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Ndërkaq, në grupin e Tregtisë me Pakicë, pa përfshirë këtu Tregtinë me Pakicë të Hidrokarbureve, ky indeks ka shënuar një rritje 10,9% kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.
Në këtë tremujor, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 9,6% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2015.
Indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë për grupin e “Produkteve joushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar Tregtinë me Pakicë të Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 11,5% kundrejt së njëjtës periudhë të vitit paraardhës, duke dhënë në këtë tremujor kontributin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë.
Në tremujorin e dytë 2016, në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 1,2% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2015,dhe është rritur 15% krahasuar me tremujorin paraardhës raporton Monitor.
Indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë në tremujorin e dytë 2016 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2015 është rritur 6,2%, i ndikuar nga nëngrupet: nëngrupi “Artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” +4,5 pikë përqindje; nëngrupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” +2,3 pikë përqindje dhe nëngrupi “Tregti me pakicë e Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” -0,6 pikë përqindje./a.m.